Ministri i Financave, Petrit Malaj zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me Bankën e Shqipërisë dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, me rastin e mbylljes së misionit të fondit në Shqipëri.
Malaj tha se Shqipëria ka dëshmuar që ka një kapacitet për t’u përshtatur dhe për të mbrojtur trajektoren e saj të zhvillimit ekonomik. Ai theksoi se në 6-mujorin e parë të vitit 2025 ekonomia shqiptare është zgjeruar me 3.6%.
“Një performancë që dëshmon shëndetin e saj të mirë”, tha Malaj duke shtuar se rritja për vitin 2025 parashikohet të jetë 3.9%.
Ai u shpreh se Shqipëria ka treguar maturitet në menaxhimin e rreziqeve dhe hartimin e politikave që kanë ndihmuar në minimizimin e kostove të ardhura nga goditjet e jashtme.
“Kjo përvojë na ka shërbyer për të forcuar besimin përballë sfidave të ardhshme”, tha Malaj.
