Kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj siguroi sot se rrjeti i ri i ujësjellësit është gati në përfundim dhe se specialistët e kësaj shoqërie do të nisin nga puna për vendosjen e më shumë se 4600 matësave të rinj. Rrjeti i brendshëm dhe depo kryesore e ujit për qytetarët e Burrelit ka përfunduar dhe nga Malaj vjen lajmi i mirë se pas lidhjes së matësave do të largohen të gjitha depozitat në taracat e pallateve dhe uji do të ketë 24 orë.
Postimi i Malajt
Rrjeti i ri i ujësjellësit është gati në përfundim. Punimet janë fokusuar në fazën përfundimtare të lidhjes së matësve tek abonentë në qytetin e Burrelit.
Fillimisht punimet do të nisin në pallatet tek të cilat është bërë investimi i sistemit kapot, e më pas puna do të vijojë në çdo lagje.
Qytetarët nuk do të paguajnë asgjë për lidhjen e matësave të rinj, por duhet të shlyejnë të gjitha debitë që mund të kenë ndaj shoqërisë së ujësjellësit, ose të lidhin aktmarrëveshjen për shlyerjen me këste, pasi nuk do të mund të bëhen pjesë e rrjetit të ri, pa shlyer detyrimet ndaj shoqërisë në fjalë.
Falë këtij investimi do të bëhet edhe heqja e depozitave në tarracat e pallateve, dhe furnizimi me ujë 24 orë.
