Mali i Çikës në Vlorë, i mbuluar nga dëbora në ditët e para të janarit 2026, ofron një pamje mahnitëse për turistët.
Një përvojë e veçantë natyrore, mes majës së thepisur të malit të Çikës përmbi detin Jon nga njëra anë dhe lumin Vlora në anën tjetër, e bëjnë këtë pikë në jug të vendit në një atraksion për të apasionuarit e natyrës, hiking, por dhe të turizmit të vëzhgimit për vizitorët vendas dhe ata të huaj.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale, pamje të një grupi turistësh në majën e malit të Çikës.
Rama, i vlerëson imazhet si spektakolare, ndërsa shkruan: “mali i Çikës, ku deti e bora ndajnë kartolinën”.
Maja e Çikës është një pikë e lartë e shkëputur e maleve të Kanalit Keraune në Shqipëri. Me një lartësi mbidetare prej 2044 metrash. Ajo gjendet në qytetin e Vlorës dhe përfaqëson një ndër pikat më të larta në Evropë, duke u radhitur në vendin e 85 në listën e majave më të larta të kontinentit.
Si pjesë e rëndësishme e Parkut Kombëtar të Llogorasë, mali i Çikës njihet për biodiversitetin e pasur. Pjesa perëndimore e malit është e mbushur me një florë të larmishme, e përbërë nga specie të ndryshme, duke përfshirë bredhin bullgar, pishën austriake, pishën boshnjake dhe pishën maqedonase.
Në malin e Çikës, vizitorët e shumtë gjatë gjithë vitit, shijojnë nga afër pamjet e jashtëzakonshme të Rivierës shqiptare, si edhe bukurinë e pyjeve të rralla.
