Në 31 vite demokraci, Shqipëria ka pasur më shumë se 25 ministra të Brendshëm. I vetmi që ka bërë thuajse një mandat të plotë në krye të këtij dikasteri ka qenë Saimir Tahiri, i cili mban edhe rekordin si më jetëgjati.
Në më pak se 10 vite qeveri Rama deri më tani janë 6 personazhet që janë ulur në kolltukun e ministrit të Brendshëm, nëse do të numëronim edhe Taulant Ballën i cili pritet ta marrë brenda pak ditëve postimin pas firmosjes së dekretit nga Presidenti. SaimirTahiri, Fatmir Xhafaj, Dritan Demiraj, Sandër Lleshaj dhe Bledi Çuçi. Ky i fundit është i vetmi i shkarkuar ndërkohë që 4 të parët kanë dhënë dorëheqjen për arsye të ndryshme dhe njëri bëri edhe burg, Saimir Tahiri.
Çuçi u bë i pari drejtues i këtij dikasteri që shkarkohet nga Rama. Edhe pse nuk ka pasur një sqarim shterues mbi motivet e shkarkimit, dalja në skenë e lidhjeve të policisë së Krujës me familjen Rraja, gjë që çoi në shkrirjen e një komisariati të tërë, është arsyeja kryesore e këtij vendimi. Rama njoftoi shkarkimin e Çuçit dhe emërimin e Taulant Ballës në vend të tij.