Ministrja e Arsimit dhe Sportit dhe drejtuese politike e PS për Tiranën, Ogerta Manastirliu thotë se në programin e ekipeve sportive në shkolla janë angazhuar më shumë se 12 mijë fëmijë, 800 ekipe të basketbollit dhe volejbollit për vajza e djem dhe më shumë se 400 mësues të edukimit fizik.
”Në gjithë këto vite ia kemi dalë të kthejmë sportin në vëmendje për të rritur kulturën sportive dhe për të promovuar jetesën e shëndetshme. Duke filluar që nga shkollat dhe duke vijuar me infrastrukturën sportive për ta bërë sportin dhe për ta kthyer në një motor të vërtetë ekonomik për vendin. Këto projekte të rëndësishme kanë sjellë përfitime të mëdha pikë së pari në jetesën e shëndetshme, aktivizimin fizik dhe kulturën sportive për të gjitha moshat.
Ky investim i qeverisë shqiptare përmes bashkëpunimit me KOKSH dhe federatat e basketbollit dhe volejbollit kanë arritur që në këto vite të angazhohen më shumë se 12 mijë fëmijë, 800 ekipe të basketbollit dhe volejbollit për vajza e djem dhe më shumë se 400 mësues të edukimit fizik të përfshirë në këtë program jashtëshkollor”, nënvizoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu tha se janë bërë investime në 450 shkolla. ”Terrene sportive në 450 shkolla, 200 terrene sportive dhe palestra tërësisht të reja të investuara nga qeveria shqiptare. Kemi mundësuar që ky program i ekipeve sportive të ndodhet në fazën ku do të vijojmë me nxitjen e disiplinave të tjera ku synojmë që brenda 2030 ne të kemi edhe më shumë disiplina të përfshira në programin e ekipeve sportive dhe gjithashtu edhe më shumë investime sa i përket infrastrukturës sportive në shkollat tona”, theksoi Manastirliu.
