PS-ja nuk i hap rrugë opozitës në procedurat për heqjen e mandatit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Taulant Balla tha sot nga jashtë sallës së Kuvendit, se akuza është një flluskë sapuni, ndërsa shtoi se Shqipëria ka nevojë për investime private përsa kohë që ligji nuk është shkelur, referuar rastit të bashkëshortit të ministres Xhaçka.
Pyetje: A ka një vend në rajon ku bashkëshorti i një ministreje shpallet investitor strategjik?
Taulant Balla: Shqipëria ka nevojë për shumë investime në sektorin e turizmit. Investimet private janë të mirëpritura sa kohë janë në kuadrin e përcaktuar nga ligji. Investitori strategjik nuk ka asnjë lloj përfitimi nga fondet publike. Në të gjitha rastet është investim me fond privat. Investitori strategjik s’ka asnjë përfitim nga fondet publike.
Ajo që dua tu kërkoj dhe kolegëve të opozitës është që Këshilli të ndjekë procedurën, të njihet me dosjen, sqarimet përkatëse dhe në fund do të shkohet në seancë. Është flluskë sapuni, ka nevojë të mbushë vakumin e agjendës opozitare në këto ditë të nxehta. Sapo mendjet e nxehta të opozitës të gjejnë një çështje tjetër jam i sigurt që do tërhiqen se e dinë që s’ka asnjë gjë brenda.