Deputeti socialist, Ulsi Manja ka akuzuar kreun e shtetit Ilir Meta se ka si synim të bllokojë Gjykatën Kushtetuese, me kërkesën e tij më 5 nëntor për KED-në. Sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Manja arsyetimi i Presidentit bie, pasi nëse zbatohet radha siç e përcakton Kushtetuta, duhet të jetë Gjykata e Lartë ajo që duhet të zgjedhë anëtarin e saj për Gjykatën Kushtetuese.
“E supozojmë se do zbatojmë radhën, të parin e ka dekretuar Presidenti, të dytin po e votojmë ne sot, radha nuk i shkon Presidentit, po Gjykatës së Lartë. Ne Gjykatën e Lartë nuk e kemi funksionale. Atëherë çfarë do të bëjmë? Do bllokojmë Gjykatën Kushtetuese dhe për një vit tjetër? Ja pra që arsyetimi i Presidentit nuk është qëllim mirë, është dashakeq, sepse në këtë mënyrë interpretimi të normës kushtetuese synohet bllokimi i bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese”, tha Manja.
Por ai argumentoi se ligji e parashikon këtë radhë në kushte normale funksionimi, por për shkak të vetingut nuk jemi në kushte normale sipas tij.
“Afati 30 ditor është i vetmi afat kufizues, i cili as nuk mund të ndërpritet, pezullohet e zgjatet. Ndryshe vjen pasoja sipas Kushtetutës, kandidati konsiderohet i emëruar ose i zgjedhur. Radha është përcaktuar dhe për një arsye tjetër, ka pasur në konsideratë përsëritjen normale të Gjykatës së Lartë, a kemi ne një situatë normale? Jo, sepse vetingu e spastroi dhe u krijuan pothuajse 9 vakanca përnjëherë, vetëm një u konfirmua në detyrë nga vetingu”, vijoi Manja.