Juristi Ylli Manjani i ftuar mbrëmjen e kësaj të enjte në “Now” ka folur lidhur me takimin e Ervin Salianjit në Durrës. Manjani ka theksuar se e sheh Salianjin si një kandidat për Kryetar të PD-së kurdo që do të mbahen zgjedhjet.
Ai shtoi se takimi i së mërkurës në Durrës ishte përvëlues siç e cilësoi ai për kreun e PD-së, Sali Berisha. Manjani gjithashtu komentoi deklaratat se të pranishmit që morën pjesë në takimin nuk ishin demokratë teksa theksoi se kjo është një mungesë respekti ndaj tyre.
“Salianji është një emër që do të vërë një piketë të rëndësishme në Partinë Demokratike. Është kandidat për kryetar Partie. Se kur është data e zgjedhjeve, lexoj këtë që shoh. Kjo është e dukshme.
Ka ca njerëz që i shkojnë nga mbrapa. Takimi në Durrës ishte përvëlues për Sali Berishën personalisht, Edhe të mos ia fusin kot se të gjithë demokratë ishin ata. Njohim një pjesë të mirë të tyre për një arsye ose një tjetër. Është mungesë respekti për demokratin ti thuash që nuk je demokrat se të shkoi te anëtari i Kryesisë, Salianji. Çfarë punë i prish Berishës dhe PD që një takim qoftë edhe privat i një anëtari Kryesie,” tha Mananji.
