Maqedonia do të fillojë zyrtarisht zbatimin e emrit “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Zbatimi do të nisë nga tabelat kufitare, deri tek ato të institucioneve dhe organeve të pushtetit qendror e lokal.
“Këto masa rregullojnë zbatimin e emrit të ri kushtetues, Republika e Maqedonisë së Veriut. Në përputhje me vendimet e qeverisë, ministritë përkatëse, organet shtetërore dhe institucionet, ndërmarrjet publike e shoqatat aksionare në kuadër të shtetit, në përputhje me afatin e paraparë për fuqizimin e amendamenteve do të detyrohen të bëjnë ndërrimin e tabelave në vendkalimet kufitare, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, si dhe në hyrjet e institucioneve”, pohoi Mile Boshnjakovski, zëdhënës i qeverisë.
Ndryshimet që do të zbatohen, do të jenë në përputhje me ligjin për përdorimin e gjuhëve.
“Shqiptarët janë 20 për qind në nivel shtetëror. Në përputhje me ligjin për përdorimin e gjuhëve, të gjitha ndryshimet do të harmonizohen me dispozitat e ligjit”, tha më tej Mile Boshnjakovski, zëdhënës i qeverisë.