Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska ka një tjetër mendim dhe ndalet vetëm te pretendimet e natyrës procedurale, që lidhen me mungesën e autorizimit nga Presidenti i Republikës për dhënien e plotfuqisë për negocimin dhe nënshkrimin e Protokollit nga përfaqësuesit e palës shqiptare.
Protokoll ka parashikuar kalimin nga shteti shqiptar në përdorim të autoriteteve shtetërore italiane të dy zonave, ku shteti shqiptar i ka transferuar të drejtën autoriteteve italiane të ushtrojnë pushtet shtetëror ekskluziv sipas legjislacionit italian për trajtimin e çështjeve që lidhen me migrantët. Në këto kushte, duke qenë se koncepti kushtetues “territor” përfshin si kuptimin fizik të tij, ashtu dhe kuptimin juridiksional të tij, vlerëson se shteti shqiptar brenda territorit të tij fizik i ka dhënë juridiksion shtetit italian
Po kështu thotë se traktati i Miqësisë i vitit 1995 nuk mund të përdorej si bazë kushtetuese për Protokollin për Migracionin,
Ajo argumenton se autorizimi për dhënien e plotfuqisë për negocimin dhe nënshkrimin e tij do të duhej të ishte lëshuar nga Presidenti i Republikës.
“Vlerësoj se Protokolli ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” përfshihet në kategorinë e marrëveshjeve që lidhen me territorin në kuptimin juridiksional, sipas shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 121 të Kushtetutës, ndaj autorizimi për dhënien e plotfuqisë për negocimin dhe nënshkrimin e tij do të duhej të ishte lëshuar nga Presidenti i Republikës, dhe për rrjedhojë kërkesa duhej pranuar për këtë shkak kushtetues” shkruhet në argumentimin e gjyqtares Toska.