Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi një ditë më parë jashtë sallës së Parlamentit se në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë ka arritur që të bindë palën tjetër (Partinë Socialiste) për ringritjen e Komisionit Bipartizan të Reformës Zgjedhore.
Madje Lulzim Basha gjatë fjalës së tij, ka specifikuar disa herë, nderkombetarët ndihmuan dhe bashke me ata arriti nje fitore te modeste. Ai u zotua publikisht se shumë shpejt pasi te rakordohet do bëhen detajet publike per mediat.
Basha ka theksuar më tej se: “Në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtarë përfaqësuesit e të cilit dëshiroj t’i falënderoj ja kemi dalë të ndërmarrim një hap të parë modest sa i takon prioritetit kryesor për largimin e papërgjegjshmërisë politike nga skena politike nga skena politike përmes Reformës Zgjedhore. Dhe të paktën për momentin duhet që në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, Partia Demokratike si udhëheqëse e këtij procesi në kuptimin thelbësor të fjalës ia ka dalë që të bind palën tjetër për të nisur punën për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore”.
Më tej ai ka cituar dhe Ambasadat të cilat sipas tij ndihmuan PD-në që të arrinte që ka lidhje me reformën zgjedhore. “Detaj besoj do të bëhen shumë shpejt publike, por unë dua të falënderojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian, Britaninë e Madhe që kanë ndihmuar jo thjesht opozitën, Partinë Demokratike në këtë drejtim, por edhe një interes publik të jashtëzakonshëm që është shkatërrimi i skenarëve për të zvarritur edhe një herë procesin e Reformës Zgjedhore”, tha Basha.
Ndërkohë që zyrtarisht këto Ambasada hodhën poshtë përfshirjen në këtë proces, por kanë bërë thirrje që kjo reformë të realizohet me konsensus.

Pyetja: Z. Basha pas seancës së sotme plenare, në një deklaratë për mediat, njoftoj se me ndihmën e Ambasadës suaj, ka bindur PS që të arrijë dakorësinë me Enkelejd Alibejan (bashkëkryetar I Reformës Zgjedhore) për Reformën Zgjedhore. A mund të konfirmoni nëse keni ndërmjetësuar ju dakordësinë që Lulzim Basha pretendon se është arritur mes Damian Gjiknurit dhe Enkelejd Alibeaj? A mund të na jepni detaje mbi negociatat e zhvilluara.
Përgjigja e Delegacionit të BE në Tiranë:
Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: Vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve.
Përgjigja e Ambasadës së SHBA në Tiranë:
Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim.
