Për marrëveshjen Rama-Meloni për strehimin e refugjatëve në Shëngjin dhe në Gjadër, Ministria e Brendshme në Itali ka publikuar tenderin për menaxhimin e ambienteve të pritjes së emigrantëve.
Sipas medias italiane, qeveria italiane dëshiron të hapë kampet më 20 maj dhe kompanitë që janë të interesuara u kërkohet të paraqesin një ofertë deri më 28 mars.
Të tre strukturat do të mund të strehojnë pak më shumë se një mijë persona në të njëjtën kohë dhe mes tyre nuk mund të ketë të mitur, gra shtatzëna dhe persona të tjerë të konsideruar të pambrojtur. Një nga tre strukturat do të ndërtohet pranë portit të Shëngjinit, rreth 70 kilometra në veri të Tiranës, ku duhet të kryhen procedurat e zbarkimit dhe identifikimit.
Dy të tjerat do të vendosen në Gjadër, njëzet kilometra më në veri dhe në brendësi. Një qendër do t’i kushtohet konstatimit të parakushteve për njohjen e mbrojtjes ndërkombëtare dhe do të jetë në gjendje të akomodojë maksimumi 880 persona, ndërsa struktura e dytë është në fakt një qendër paraburgimi për riatdhesim (CPR) me një kapacitet maksimal prej 144 personash.
Në synimet e qeverisë italiane në Shqipëri duhet të stresohen njerëzit e shpëtuar nga autoritetet italiane. Vlera e kontratës është pak më pak se 34 milionë euro, të cilave duhet t’i shtohen rimbursimet për shërbimet e transportit, shërbimet komunale, grumbullimin e mbetjeve, mirëmbajtjen e zakonshme dhe të jashtëzakonshme, lidhjen Wi-Fi, kujdesin shëndetësor. Rimbursimi për këto shërbime nuk është përcaktuar ende.