Mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë të Serbisë zhvilluan një marshim proteste në rrugët e Beogradit. Ata dorëzuan plot 1 mijë letra identike në adresë të Prokurores së Lartë Publike, Zagorka Dolovac, duke i kërkuar që të fillojë të bëjë punën e saj për të bërë drejtësi për tragjedinë në Novi Sad ku humbën jetën 15 persona.
“Studentët presin që ju të luftoni për ligj dhe drejtësi, pa keqpërdorime politike apo korrupsion”, lexohet në letrat e dorëzuara. Prokurorja ka kërkuar një ballafaqim me organizatorët e protestës, por që nuk është pranuar nga studentët.
Ndër kërkesat e tyre është dorëheqja e presidentit Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së kryeministrit Millosh Vuçeviç, të cilët akuzohen si përgjegjës për neglizhencë dhe korrupsion me riparimin e strehës që u shemb në stacionin e trenave në Novi Sad më 1 nëntor.