Zylyftar Hoxha
75 vjet më parë, në natën e 4 shkurtit të vitit 1944 nga pushtuesit nazistë, kuislingët nën urdhrat e pushtuesve nazistë vranë 84 persona brenda një nate dhe arrestuan 300 të tjerë në Tiranë. Masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë është ndër masakrat më të përgjakshme, që kryen nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre: si Xhafer Deva, Ministër i Brendshëm i nazistëve, Kadri Cakrani, komandant i forcave të Ballit Kombëtar, Qazim Mulleti, Prefekti i Tiranës, fashisti Osman Kazazi etj., nën drejtimin e Gestapos gjermane. Natën e 4 shkurtit drejtuesit e xhandarmërisë, me lista në duar e me grupe xhandarësh u futën nëpër shtëpitë e qytetarëve të Tiranës, rrëmbyen djem e burra dhe i pushkatuan nëpër rrugë. Për të futur frikë e tmerr, për të terrorizuar popullin, ata vepruan mbarë, pushkatuan edhe të tjerë që i gjenin në rrugë. I vrisnin dhe i masakronin barbarisht, duke i gjymtuar edhe për së vdekuri, pastaj i hidhnin nëpër kanale, apo dhe në mes të bulevardit. Rrugët e Tiranës u mbushën me gjak. Përmasat e kësaj masakre i pohon të nesërmen Komanda e Xhandarmërisë në raportin e saj ku thuhet: “Forcat e xhandarmërisë, së bashku me forcat e Regjimentit “Kosova” dhe me vullnetarët e Ballit Kombëtar, këtë natë kanë bastisur 230 shtëpi, ku kanë arrestuar 478 persona të dyshimtë dhe nga këta 84 më të rrezikshmit i kanë pushkatuar. Nga të 84 të pushkatuarit rezulton se 67 janë shqiptarë, 9 italianë, 4 malazezë, 2 maqedonas, 1 grek (minoritar) dhe 1 çifut. Viktimat kanë qenë nga Tirana 29 dhe 37 nga rrethet Fier, Korçë, Durrës, Shkodër, Vlorë e Dibër”.
Kjo masakër ka mbetur në kujtesën e popullit si një nga ngjarjet më të egra çnjerëzore e pushtuesve nazistë dhe e shërbëtorëve të tyre kuisling, një krim monstruoz që i rëndoi popullit tepër. Të tilla akte terrorizmi masiv praktikoheshin shpesh nëpër qytetet e Evropës në ato vite. Masakra e Tiranës, me aq pak banorë në atë kohë për makabritetin dhe numrin e të vrarëve dhe të arrestuarve nuk kishte precedentë. Raprezalja u krye papritmas nëpër të gjithë qytetin. Nga pala shqiptare në krye të kësaj masakre ishin kuislingët Xhaferr Deva dhe Xhelal Staravecka.
A ishte politike, apo ishte personale, siç japin versionin disa bashkëkohës, kjo duhet parë. Duhet thënë gjithashtu se, megjithëse kanë kaluar vite, 4 Shkurti mbetet ende një ngjarje e pazbardhur, edhe për numrin e të vrarëve e të plagosurve, për emrat e viktimave që nuk janë evidentuar të gjithë, por edhe për vlerësimin e kësaj ngjare. Çuditërisht, përveç emrit të një rruge në Tiranë, edhe ajo e ndërruar, pasi u zhvendos dhe u zëvendësua me një emër tjetër, nuk ka asnjë monument tjetër për të nderuar këto viktima dhe për të respektuar sakrificat e antifashistëve tiranas.
Xhaferr Deva pas 4 Shkurtit
Megjithëse mbi gjak, jetë të qetë, i gatshëm për krime të reja
Edhe pas largimit nga qeveria Xhaferr Deva u vu kryekëput në shërbim të gjermanëve, duke luftuar ashpërsisht kundër forcave partizane shqiptare e jugosllave. Hito Çako, një nga drejtuesit e formacioneve partizane në luftë për çlirimin e Kosovës ka shkruar në ditarin e tij të luftës se: “…gjermanët dhe reaksioni me Xhaferr Devën në krye, kishin përqendruar forca të mëdha që të bënin të pamundur mësymjen e Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare për çlirimin e Kosovës
Në mërgim, aktiv
Në gjysmën e nëntorit 1944, grupi i kosovarëve, Rexhep Mitrovica, Xhaferr Deva, Tahir Zajmi, Xhelal Mitrovica, Rexhep Krasniqi, mori rrugën e mërgimit. Udhëtuan me automobil personal të Xhaferr Devës e pastaj me aeroplan deri në Zagreb. Atje janë mirëpritur nga kryetari i shtetit kroat, Ante Paveliqi dhe ministri i Jashtëm kroat që ishte boshnjak. Në fillim të dhjetorit, pas përpjekjeve e peripecive të mëdha, kanë kaluar alpet sllovene-austriake dhe janë vendosur në Vjenë, ku gjendeshin edhe grupe të tjera nacionaliste me Gjon Marka Gjonin, Nuredin bej Vlorën, Shefqet Vërlacin, Mehdi Frashërin me familje, etj. Shtëpitë ku banonin Mehdi Frashëri, Rexhep Mitrovica e Xhaferr Deva, u bënë qendra në shërbim të të gjithë emigrantëve shqiptarë. Gjatë periudhës 1945-1947, Xhaferr Deva qëndroi në Austrinë Perëndimore. Në verë të këtij viti, ai bashkë me Xhelal Mitrovicën, Tahir Zajmin dhe Ali Dragën shkuan në Itali. U vendosën në Gjenovë të Italisë dhe pas dy muajsh, me ndihmën e një deputeti turk me origjinë shqiptare nga Prizreni, mik personal i Xhaferr Devës, siguruan lejen për të shkuar në Turqi. Në Romë më 6 nëntor 1946 qe themeluar partia e re shqiptare, Blloku Kombëtar Indipendent, për një Shqipëri Etnike, të çliruar nga zgjedha e dhuna komuniste. Në fund të vitit 1947, Xhaferr Deva, me shokët e tij (Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi dhe Xhelal Mitrovica) emigruan në Siri. Ata vazhdimisht mbanin lidhje me Rexhep Mitrovicën, i cili, në Ankara, Stamboll e qytete të tjera, ishte i rrethuar nga nderi dhe respekti i shumë atdhetarëve atje. Më 12 gusht 1948 ka nënshkruar Protokollin e Aleksandrisë, në Hotelin Nikolas St. Stefano të qytetit. Nënshkrues të tij kanë qenë edhe përfaqësuesit politikë të BKI, Ernest Koliqi, Ago Agaj, Nexhmedin Qoraliu; nga organizata kombëtare e Lëvizjes së Legalitetit (OKLL), Abaz Kupi dhe Hiqmet Delvina; nga Partia Balli Kombëtar (BK), Koço Muka dhe nga grupi i Kosovës nënshkruesit ishin, Bajazit Boletini me Devën. Më 3 dhjetor 1948, në Stamboll, ata formuan Komitetin Shqiptar, që do të kishte orientim perëndimor dhe mbështetjen e SHBA-së, Anglisë e Francës. Xhaferr Deva në këtë rast përfaqësonte grupin kosovar në mërgim, të cilët e lëshuan Prizrenin në mes të nëntorit 1944.
Marrëdhëniet e Devës dhe Zogut në emigrim
Adjutanti i Ahmet Zogut, kujton, kur ishin në emigrim, se më datën 30 gusht 1947, Xhaferr Deva, është paraqitur të Mbreti me rekomandim të disa intelektualëve kosovarë dhe ka deklaruar se: “…me gjithë zemër e besnikëri vihemi në dispozicion të Madhnis Tij Mbretit Zog”. Në një letër parashtruar Ahmet Zogut, Xhaferr Deva ka shkruar: “…unë dhe Dr. Xhelal Mitrovica shpresojmë të kemi fatin e lumtur me i parashtrue personalisht Madhnis Tij Mbretit homazhet bashkë me besnikërinë tonë e mbarë Kosovës. Ju lutem pranoni mirënjohjet tona të thella. Xhafer Deva”.
Një tjetër “Lidhje Prizreni” në Amerikë
Një udhëtim tjetër të gjatë, Deva fillon në vitin 1956 në drejtim të SHBA. Asokohe aty kishin mbërritur shumë emigrantë politikë nga Kosova, Shqipëria dhe trojet etnike shqiptare. Si gjithnjë, ai vazhdoi të mbete dhe protagonist në diasporë për përmbysjen e pushtetit në Shqipëri. Më 1960 shkoi në Kaliforni. Si një nëpunës zyre punoi deri sa doli në pension në vitin 1972 në Universitetin e Stanfordit në qytetin Paolo Alto të Kalifornisë. Në këtë kohë Xhaferr Deva shkon në Nju York herë mbas here dhe riorganizon Lidhjen e Prizrenit në mërgim, duke krijuar përfaqësimet, zyrën e shtypit dhe atë të kontabilitetit, lidhje që kishte si qëllim organizimin e lëvizjes antikomuniste jashtë.
Xhelal Staravecka:
“Historia e ka gabim, nuk e bëra unë 4 Shkurtin”
Xhelal Staravecka është një emër i njohur, që përmendet shpesh në historinë dhe dokumentet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në fillim si komandant i çete dhe i njësive të tjera partizane në zonën e Skraparit, si organizator kryesor në formimin e Brigadës së Parë Sulmuese në Vithkuq në gusht të vitit 1943, zëvendëskomandant dhe komandant i batalionit të parë të kësaj brigade dhe më pas me anë të një kthese të çuditshme kalon në anë të kundërt, në atë të armikut, ku edhe këtu bëhet një nga eksponentët kryesorë të qeverisë kuislinge të ngritur nga nazistët gjermanë të kryesuar nga regjenca me Mehdi Frashërin në krye në fillim të vitit 1944.
Arratiset nga Shqipëria në nëntor të vitit 1944. Pas shumë peripecive shkon nga Jugosllavia në Vjenë e më pas në Itali. Aty dënohet me 12 vjet burg nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, pasi në vitin 1942 kish marrë pjesë në vrasjen e 130 robërve italianë të xhandarmërisë italiane në Çorovodë. Pas disa viteve me të drejta të kufizuara qëndrimi në Itali, arratiset për në Francë, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës deri sa vdiq. Në mërgim, megjithë ftesat për bashkëpunim, nuk mori pjesë me organizatat e ngritura jashtë që vepronin dhe propagandonin kundër qeverisë së Tiranës.
Në një libër me kujtime me titull “Në gjyqin e historisë” ai flet hapur dhe në mënyrë tepër të sinqertë për jetën e tij të trazuar, për arsyet pse e tradhtoi Frontin Nacionalçlirimtar dhe bashkëpunoi me fashizmin, për qëndrimin e tij në mërgim dhe se si ai ndiqte me interes zhvillimet politike në Shqipëri. Por ne në këtë rast do të ndalemi vetëm në një ngjarje, në Masakrën e 4 Shkurtit 1944 në Tiranë, ku ai është akuzuar si një nga organizatorët kryesor të kësaj masakre.
Në historinë e Shqipërisë, por edhe në shkrime të ndryshme për atë kohë, thuhet se Masakrën e 4 Shkurtit të vitit 1944 në Tiranë, ku u vranë 84 të rinj, të reja e qytetarë të thjeshtë që u gjetën në rrugë e organizoi Xhaferr Deva, si ministër i Brendshëm i qeverisë kuislinge me kryeministër Mehdi Frashërin dhe Xhelal Staraveckën si komandant i Xhandarmërisë së Tiranës për të ushtruar terror ndaj lëvizjes komuniste.
“Historia e ka gabim, shkruan Xhelali, ngjarja ka një motiv të dobët, dhe kjo nga Xhaferr Deva. Më 3 shkurt erdhi në Tiranë Kadri Cakrani. Dy të rinj të guerileve komuniste vranë një rojen e Kadriut dhe xhaxhanë e Xhaferr Devës. Për shkak të këtij aksioni Xhaferr Deva vuri në veprim një regjiment kosovar që ishte në atë kohë në Tiranë duke bërë gjithë atë kasaphanë. Natyrisht këtu pati gisht edhe Kadri Cakrani që ishte një kriminel i lindur. Mehdi Frashri, si kryeministër, u hidhërua tej mase për ngjarjen dhe për gjendjen që i kishte dalë jashtë kontrollit, por s’kish ç’të bënte, pasi ishte vënë midis dy zjarreve qoftë me Ballin, qoftë me eksponentë të qeverisë që ishin lidhur shumë ngushtë me gjermanët”.
Më tej Xhelali shkruan se historianët shqiptarë, po të tregoheshin pak më të vëmendshëm dhe të shikonin dokumentet e kohës, pasi ato aty janë, nuk do të ma vishnin mua 4 Shkurtin. Atë nuk e kam bërë unë, se nuk kam qenë fare në Tiranë dhe s’kam patur fare lidhje as me ngjarjen e as me qeverinë. Le të hapen dokumentet e emërimit tim. Unë e kam marrë emërimin si komandant i xhandarmërisë së Tiranës më 13 shkurt dhe kam filluar punë më 14 shkurt, 10 ditë pasi ishte bërë masakra. “Pra 4 Shkurtin e ka bërë Xhaferr Deva dhe Kadri Cakrani”, përfundon kujtimet për këtë çështje Xhelali.
Veç këtyre fakteve, në libër ai përshkruan edhe shumë ngjarje të tjera të asaj kohe që ne i dimë ndryshe, por që gjithsesi të bëjnë të mendosh.
Isuf Deva, sekretar i Xhaferr Devës:
“Terrori i 4 Shkurtit, hakmarrje personale”
Isuf Deva, i afërm, por edhe sekretar personal i Xhaferr Devës, u arrestua në Zagreb në 1945-ën si çetnik. Nga UDB-ja jugosllave iu dorëzua autoriteteve shqiptare. Pas dy vjetëve burg, në vitin 1947, pushkatohet nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme Shqiptare. Në deponimet e tij në atë kohë për ngjarjen, ai jep këto të dhëna:
Më 3 Shkurt 1944 në Tiranën e Re, Kadri Cakranit i bënë një atentat, ku ju vranë dy djem që i kishte pas vetes dhe iu plagos një nip, a kushëri nuk e di se ç’e kish. Aty vritet dhe nipi i Xhafer Devës, djali i vëllait, që ishte me automobilin e Xhaferit, që e kishte marrë ai. Me rastin e atentatit që ju bë nipit të Xhafer Devës në hotel “Dajti” u mblodhën së bashku, Tahir Kolgjini, Hysni Dema, Kadri Cakrani, Xhelal Staravecka, Xhelal Mitrovica, Rrok Nallbani, Mato Murati, Beqir Maloku dhe mandej kur vdiq nipi i Xhafer Devës (Fahri Ibrahimi u plagos rëndë dhe vdiq mbas pak kohe në spital) këta erdhën në shtëpinë e Xhafer Devës nga ora 19 për ngushëllim. Në orën 22, 30 të kësaj nate me thërret Xhafer Deva në Ministri ku dhe shkova. Në zyrën e Xhafer Devës erdhi dhe Kadri Cakrani, Qazim Mulleti dhe Hysni Dema. Xhafer Deva me urdhëroi që të shkoja te Qazim Mulleti i cili me caktoi sektorët e veprimit për hakmarrje, mbaj mend se për këtë natë kishim në dispozicion për të vepruar 200 deri 300 vetë të armatosur të cilët bëheshin nga Regjimenti “Kosova”, të Xhandarmërisë dhe elementë besnikë të Kadri Cakranit, Qazim Mulletit etj., të cilët u ndanë në vende të ndryshme. Drejtimet që duhej të merrnin i dhanë Xhafer Deva dhe Qazim Mulleti, me vete, grupet e armatosura kishin të gatshëm listat e njerëzve që do arrestoheshin. Në këtë terror u arrestuan 320 vetë të cilët qëndronin pranë Ministrisë së Brendshme nëpër burgjet e saj. Përgjegjës për kontrollin dhe arrestimet kanë qenë këta persona: Beqir Maloku, Qazim Mulleti, Mato Murati, Xhelal Staravecka, Hysni Gradeci nga Podujeva, Qemal Mujku nga Mitrovica, Ibrahim Murati nga Mitrovica. Pushkatimi i këtyre filloi në orën 1 mbas mes nate dhe nëpër rrugët e lagjeve të ndryshme për qëllim paniku nëpër elementë të Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Viktimat e këtij terrori u lanë nëpër rrugët e qytetit deri në mbrëmjen e 4 Shkurtit. Në 4 Shkurt unë kam marrë vesh se janë vrarë rreth 80 vetë e mbi 200 të tjerë u arrestuan e u burgosën. Si është bërë terrori neve nuk kemi bërë ndonjë mbledhje për të bërë ndonjë llogari mbi veprimtarinë që ishte bërë. Mbas kryerjes së terrorit të 4 Shkurtit midis Qeverisë Mitrovica e ministrit të Brendshëm Xhafer Deva lindën kontradikta, qeveritarë të ndryshëm të kësaj qeverie e kritikonin aktin e 4 Shkurtit. Në këto kushte Xhafer Deva braktis postin e ministrit dhe niset në Kosovë për të shuar lëvizjen komuniste, së bashku me njerëzit e tij besnikë.
Musa Gjylbegu: “Ndër kriminelët, më i rrezikshëm Kadri Cakrani”
Musa Gjylbegu, ministër i Botores në qeverinë e Rexhep Mitrovicës ka deklaruar: “Unë këtë çështje e mora vesh në mëngjesin e 4 shkurtit nga një dibran, nëpunës, që quhej Jemin Çuçi, që i kishin marrë të vëllanë, kur ky vjen me një tjetër, të më luteshin që të interesohem t’ia shpëtoj po të ishte gjallë… Unë prej këndej shkova tek Mehdi Frashëri. Në zyrën e Mehdiut gjeta Lef Nosin, Mihal Zallarin, Lame Karecon dhe Sotir Kondin. Mihal Zallari me këto dy të fundit kishin vajtur e ishin lut Mehdi Frashërit që të urdhëronte lirimin nga burgu të Qirjako Haritos mbasi Harito Harito atë natë u vra….Kur erdhi mbas tri-katër ditëve Xhaferr Deva, në Këshillin Ministror ku ishte dhe Këshilli i Naltë, Xhaferri tha: Çështja e 4 shkurtit ngjau nga disa djem të Kadri Cakranit që sot nuk gjenden këtu fare, këta e bënë për hakmarrje për atentatin e 3 shkurtit. Ju tha Xhaferr Devës se opinioni publik flet për ty dhe se janë tetëdhjetë e sa vetë dhe jo sa thua ti. Ai thoshte se këto fjalë nuk janë të vërteta. Opinioni publik dhe Këshilli i Naltë ishte i mendimit që këtë punë e bëri ai me Kadri Cakranin. Për këtë çështje nuk u mor ndonjë masë as nga Këshilli Ministror as nga Këshilli i Naltë sepse e kishin frikë Xhaferr Devën.
Gazeta “Bashkimi”
Dritë e vakët, por e vetme mbi ngjarjen
Gazeta “Bashkimi”, me gjithë angazhimin profesional, për kushtet e vështira që ka pasur, jep të dhëna të kufizuara për ngjarjen, megjithatë, kjo gazetë është i vetmi dokument i kohës më i plotë që hedh dritë mbi atë që ka ndodhur, por edhe ka identifikuar një pjesë të mirë të të viktimave. Gazeta “Bashkimi” e datës 3.2.1945, në faqen e parë në fund, djathtas, me shkrim të theksuar jep këtë lajmërim: “Ftohen familjet, farefis, ose shokët, dhe çdo qytetar, që di emrat e martirëve të 4 Shkurtit 1944 t’i njoftojë mbrënda ditës së sotme pranë Këshillit Nac.Çl. të Qytetit të Tiranës”. Kjo ftesë e gazetës për qytetarët e Tiranës për të dhënë të dhëna, është një tregues i asaj që thamë më lartë se ngjarja është ende e pazbardhur. Gazeta ka shumë shkrime me tone emocionale por me pak të dhëna. Në një vend jep 80 të vrarë dhe në një vend tjetër 104. Nga gazeta mësojmë emrat e të vrarëve Todi Shkurti, Vangjel Capa, Hasan Çeliku dhe Mihal Koçi që jepen në deklaratën e Këshillit Nacionalçlirimtar. Kjo listë shtohet me emrat e gjetur në artikullin e firmosur nga Demo Koti (do jetë ndonjë pseudonim), që janë: Fadil Rada, Xhemal Sojli, Davi Koen, Sitki Çiço, Petro Prifti, Vasil Muzina, Gjergji Marangosi, Haki Huta, Dr. Stefan Pano, Emurdha Korra, Mihal Jani Koça, Rag.Ravesi, Sulejman Vrapi, Sokrat Tako, Ramiz Treni, Vangjel Cako, Harrito Harrito, Ali Visha, Mina Toma, Todi Shkurti, Gjergj Legisi, Islam Halla, Shyqëri Greblleshi, Hasan Rexhepi, Dhimitër Thoma. Në gazetë flitet për një italian të paidentifikuar; Ragioner Ravesi (italian), Jorgji Marangosi (malazes) ekzekutuar e vrarë te Ura e Lanës; katër punëtorë të paidentifikuar para Sahatit, një italian i ekzekutuar të Kodra e Kuqe, i paidentifikuar; 3 malazes të nxjerrë nga burgu dhe të ekzekutuar në Kodrën e Kuqe, David Koen (nënshtetas Jugosllav), dy punëtorë të paidentifikuar (vrarë përpara xhamisë së Met Firës); 3 të vrarë në Rrugën e Pishës dhe të paidentifikuar; një i paidentifikuar, vrarë në Rrugën e Dibrës; një tjetër i paidentifikuar, vrarë para xhamisë E’them Bej.