6 viktimat e masakrës në Greqi janë anëtarë të të ashtuquajturës mafia “Dalton”, të kryemafiozit turk Baris Boyun. Sipas informacioneve, personi i arratisur mësohet se jeton në Rimini të Italisë, ndërsa është themelues i një zyre atentatorësh në Stamboll. Anëtarët e mafies janë aktivë në trafikun e drogës dhe në fillim të gushtit, ata dyshohet se ekzekutuan dy rivalë në një apartament në Alpet Franceze. Disa nga ekzekutorët, dyshohet se mund të jenë viktimat e pak ditëve më parë.
Viktimat ikën në Greqi për t’u mbrojtur dhe për të gjetur një strehë të sigurt, pasi lufta me mafien rivale ishte ndezur. Autorët i kanë pikasur dhe i kanë qëlluar me breshëri armësh të paktën 60 herë.
Katër nga viktimat, të moshës 25 deri në 28 vjeç, u gjetën të vrarë brenda makinës. Shoferi 26-vjeçar ka dalë nga mjeti duke u përpjekur të shmangë zjarrin, si dhe një nga pasagjerët në sediljet e pasme. Dje, policia arrestoi në aeroportin “El. Venizelos” një turk 32-vjeçar, me dy karta portugeze false dhe 4 fishekë të kalibrit 9 mm. Ndërkohë, po vijojnë hetimet nëse i arrestuari ka lidhje me masakrën në Luca.