Amant Josifi, i shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle për mashtrim e 17 mijë shtetasve të BE-së përmes Call Center-ave dhe i ndaluar më 6 shtator në Dubai, është lënë i lirë nga autoritetet atje. Lajmin e jep gazeta spanjolle “El Pais”, fakt të cilin ia ka konfirmuar avokati i Amant Josifit dhe pretendon se ai jeton prej 3 vitesh atje. “Josifi është i lirë, pa asnjë masë sigurimi, në pritje të paraqitjes së kërkesës për ekstradim nga gjykata e La Seu”,-shkruan media spanjolle.
Policia nuk arriti ta arrestonte në Shqipëri në megaoperacionin ndërkombëtar që kreu në nëntor të vitit të kaluar, me disa shtete të përfshira, ndërsa cilesohej nga policia e katalonjës dhe “Guardia Civil” si objektiv “me vlerë të lartë”. Josifi është një biznesmen i njohur në Shqipëri, me lidhje të forta politike, shkruan me tej media spanjolle. Një nga avokatët e tij në Spanjë tha për gazetën spanjolle, se ai është thjesht një biznesmen, e se i kishte marrë me qira Call Center-at dhe se nuk dinte se çfarë aktiviteti kryhej aty.
Policia thotë se rrjeti kriminal ka fituar nëpërmjet mashtrimit rreth 2.4 miliardë euro, duke mashtruar mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të BE-së. Qytetarët besonin se po investonin në produkte financiare me përfitim të lartë dhe kriptovaluta, por në realitet paratë shkonin direkt në xhepat e organizatës kriminale, sipas hetimeve.