Flokët janë ndër pjesët më të dukshme dhe delikate të trupit të njeriut. Ekspozimi në diell, në të ftohtë apo kimikatet e ndryshme që funksionojnë si bojëra për flokët sigurisht kanë ndikimin e tyre në kokë.
Por mirëmbajtja e flokëve nuk ka përse të kushtojë një tufë me para sepse nëna natyrë i ka ofruar njeriut një larmi produktesh të cilat e ushqejnë njeriun nga jashtë brenda.
1. Maskë rigjeneruese me qumësht dhe mjaltë
Përbërësit:
250 ml qumësht, 2 lugë gjelle mjaltë.
Përgatitja:
- Fillimisht të zgjidhni një enë të thellë. Hidhni në të qumështin dhe mjaltin duke i përzier vazhdimisht derisa të formohet një masë e njëtrajtshme.
- Më pas merrni me kujdes pak nga kjo masë në duar dhe vendoseni nga rrënja e flokëve dhe poshtë. Mundohuni që të lyeni pjesën më të madhe të kokës dhe majat e flokëve. Sigurisht fokusohuni tek pjesa ku ndjeni se flokët tuaj janë shumë të thatë dhe të dëmtuar.
- Pasi të keni mbaruar me lyerjen e tyre, lidhini lart të gjitha së bashku në mënyrë që të mos ndotni rrobat apo sendet përreth jush.
- Mbajeni këtë maskë në kokë për rreth 15 minuta, ose derisa të ndjeni që është tharë plotësisht.
- Më pas mund të vazhdoni me larjen e flokëve si zakonisht, me shampo dhe zbutës.
2. Maskë me lëng patateje, vezë dhe mjaltë
Për këtë maskë ju nevojitet lëngu i tre patateve mesatare, një e verdhë veze dhe një lugë gjelle mjaltë.
- Përziejini të gjithë përbërësit mirë deri sa të formohet një maskë kremoze me të cilën duhet të lyeni flokun nga rrënja tek majat.
- Maskën mbajeni në kokë për 30 minuta dhe më pas shpëlajeni flokun me ujë të vakët.
- Më pas flokët lajini si zakonisht me shampo.
Kjo maskë është shumë e mirë për flokë të thatë të cilët i ushqen në thellësi dhe ndihmon në rritjen e tyre.
