Deri para një viti nuk bëhej fjalë për kultivimin e peshkut në Liqenin e Ulzës. Pas vitit 1990 ish ndërmarrja e Peshkimit e humbi funksionin e saj. Në këto rrethana gjuetia nisi me mjete rrethanore, dinamit, korent e mjete të tjera që e dëmtuan rëndë rritjen e peshkut në këtë basen. Policia dhe strukturat e tjera nuk e ndalën gjuetinë e paligjshme dhe mjaft të dëmshme.
Ndërkohë që vitin e kaluar, falë kujdesit të Bashkisë Mat ka nisur hedhja e rasatit të peshkut në këtë liqen të krijuar nga dora e njeriut rreth viteve ’60-të. Sakaq edhe këtë vit janë hedhur mijëra kokë rasati duke e mbipopulluar basenin. Po ashtu Bashkia ka marrë të gjitha masat për mbrojtjen e peshkut nga individët që ashtu si para shumë vitesh tentojnë të gjuajnë në mënyrë të paligjshme.
Veç specialistëve të peshkimit janë caktuar edhe roja të liqenit, duke e patrulluar atë çdo orë të ditës dhe natës. Edhe Policia lokale tashmë është angazhuar për ruajtjen e faunës së liqenit “magjik”. /tirananews.al/