Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në fshatin Bushkash, Njësia Administrative Ulëz.
Mësohet se një natë më parë janë dhunuar varrezat e fshatit, duke rrëmbyer e dëmtuar sende që banorët e fshatit buzë liqenit kishin vendosur mbi varre.
Kryeplaku i fshatit Astrit Kalthi dhe banorë të tjerë kanë njoftuar Policinë dhe kanë kërkuar ndihmë për zbulimin dhe kapjen e autorëve.
“Kanë vjedhur vazo prej bakri, bronxi, alumini dhe sende të tjera që banorët kishin vendosur për të afërmit e tyre, tashmë të vdekur. Është hera e parë që na ndodh kjo ngjarje e rëndë. Ne, thanë banorët, po “hetojmë” edhe privatisht për ngjarjen. Kohët e fundit në fshat kanë ndodhur disa grabitje dhe jemi shumë të shqetësuar. Policia duhet t’na ndihmojë sepse kjo që na ndodhi është kriminale dhe shumë e rëndë”.
Mësohet se Policia e Matit ka dokumentuar sot ngjarjen e ndodhur dhe vazhdon hetimet për gjetjen e ndëshkimin e autorëve.