Familjen Hoj në Kokërdhok të Ulzës e kanë pushtuar hallet. Tërmeti i 26 nëntorit i rrënoi shtëpinë 116 vjeçare ndërsa ngritja e nivelit të liqenit të Ulzës nga pronarët e HEC-it i kanë përmbytur tokën që ndodhej ngjitur me liqenin.
Sot familjes së Paulin Hojt iu dërgua një çadër nga Ministria e Mbrojtjes, ushqime dhe veshmbathje nga Bashkia e Matit. Prej të martës së kaluar ai dhe familja e tij flenë jashtë shtëpisë, në çadra të improvizuara.
“Jam shumë në hall, thotë Paulini. Tërmeti e bëri shtëpinë të pabanueshme ndërsa uji i liqenit po i afrohet asaj. Nuk fle dot në shtëpinë e ndërtuar nga gjyshi sepse ka pësuar dëmtime të mëdha. Ndërkohë pemët që kisha buzë liqenit janë përmbytur. Firma Kurum ka ngritur digën e HEC-it me afro një metër. Kjo ka shkaktuar përmbytjen e tokave, rrugëve dhe urave që nuk ishin planifikuar për rritjen e nivelit të liqenit”.
Ai thotë se strukturat shtetërore duhet të ndërhyjnë që diga e HEC-it të ulet përsëri pasi mund të shkaktojë dëme të mëdha për banorët e Matit.
Sakaq Nezir Sinani, drejtor i Mbrojtjes Civile pranë Bashkisë Mat tha se: “Kemi ngritur komisionin e mbrojtjes civile. Grupet e verifikimit janë në terren. 440 ankesa janë bërë nga banorët e Matit. Jo të gjitha janë konstatuar të dëmtuara nga tërmeti, disa janë dëmtuar nga shkaqe të tjera. 31 objekte do t’i nënshtrohen vlerësimit nga ana e specialistëve të pushtetit lokal. Familja Hoj dhe katër të tjera janë pajisur me çadra dhe ndihma të tjera”. /tirananews.al/
.