Prej tri ditësh disa vatra zjarri kanë pushtuar pyjet në afërsi të Qafë Shtamës, mbi fshatin Selixë, Njësia Administrative Komsi, në Bashkinë e Matit.
Efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrëfikës, spcialistë të pyjeve, punonjës të bashkisë, vullnetarë të zonës vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e dy vatrave të mbetura ende aktive.
“Jemi më shumë se 60 persona që po “luftojmë” me flakët, tha një zyrtar i Bashkisë Mat. Eshtë dita e tretë që përpiqemi nga mëngjesi në darkë për normalizimin e situatës, por është e pamundur. Në kohë rekord u shfaqën disa vatra zjarri. Terreni është shumë i thyer. Asnjë mjet nuk mbërrin në pyjet e përfshirë nga zjarret. Ekziston mundësia e rindezjes së zjarri në vatra të tjera, pasi kemi të bëjmë me pyje të lartë, me drunj të vjetër, që janë djegur dhe ruajnë prushin”.
Që ditën e parë të zjarreve u kërkua ndihmë për të ndërhyrë nga ajri, ndërsa spcialistë të pyjeve u shprehën se në pyjet e lartë, me pishë e ah, nuk është efektive kjo ndërhyrje.