Ujqërit po bëjnë kërdinë në rrethin e Matit. Blektorët e zonave malore shprehen se ditët e fundit, sidomos pas reshjeve të dëborës, ato po shkaktojnë dëme serioze në dele, dhi, lopë dhe kafshë të tjera.
Fermerë që mbarështrojnë tufa me të imta në Njësitë Administrative Macukull e Derjan thonë se ujqërit u kanë dëmtuar shumë dele e dhi dhe mbrojtja prej tyre është e pamundur.
“Janë shfaqur kudo, thonë blektorët. Ditët e fundit i dallojmë pranë shtëpive të banimit. Nëse dikur qëndronin në male dhe zbrisnin shumë rrallë në zonat e banuara, tani i sheh të lëvizin kudo. Kjo na ka detyruar t’i shesim të imtat. Nuk i ruajmë dot”.
Mësohet se këto grabiqarë të rrezikshëm të blektorisë janë shtuar shumë vitet e fundit. Para viteve ’90-të përdoreshin metoda të tjera për eleminimin e tyre, duke ngritur granca me mish të helmuar, ndërsa prej dekadash ujqërit vetëm shtohen dhe bëhen mjaft të rrezikshëm.