Është zëvendësuar brenda një dite transformatori i energjisë në fshatin Zenisht, Njësia Administrative Lis, Bashkia Mat.
Më shumë se 160 familje mbetën pa energji nga e diela në mesnatë deri pasditen e sotme pasi persona të paidentifikuar kishin vjedhur transformatorin e energjisë elektrike të këtij fshati.
Zyrtarë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes Mat bënë me dije se hajdutët pasi kanë shkëputur energjinë elektrike nga kabina kanë hapur transformatorin dhe kanë rrëmbyer telin prej bakri. E njëjta situatë ka ndodhur në një kabinë tjetër, në rrugën Zenisht-Rrëshen.
Mësohet se Policia e Matit dhe ajo e Mirditës kanë sekuestruar kamerat e sigurisë që ndodhen në këtë segment rrugor dhe po hetojnë për zbardhjen e plotë të grabitjes së tranformatotëve.
Tri vite më parë disa persona që vidhnin kabinat elektrike në zonën e Bazit dhe Ulzës u arrestuan nga Policia e Matit dhe u dënuan nga gjykata e këtij rrethi.