Nuk ka mjaftuar loja e “fortë” e lojtarëve të Kastriotit për të mundur skuadrën e Burrelit në përballjen miqësore që u luajt sot pasdite në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë Krujës. Djemtë e Ndreut nuk e kanë përtypur dot humbjen e papritur me skuadrën e riformatuar të Samuel Nikës. As ndihma e kryesorit gjatë pjesës së parë nuk i ka ndihmuar vendasit për ta fituar këtë ndeshje në prag të sezonit të ri futbollistik.
Të parët kanë shënuar vendasit me anë të Çelës. Një gjuatje e fortë, nga një distancë e largët nuk është ndalur nga Miraka i Burrelit. Sakaq pak minuta më vonë matianët kanë pretentuar për një penallti, por kryesori ka vijuar lojën. Në minutën e fundit, të pjesës së parë, Rraboshta lëshon një “silurë” drejt portës së Pujës dhe 1-1.
Edhe në pjesën e dytë ka munguar fair-play. Vendasit janë vënë në kërkim të golit të dytë por mbrojtja solide dhe portieri i Burrelit nuk kanë lejuar prekjen e rrjetës. Ndërkohë në minutën e 65’ Sefgjini gëzon kolegët dhe trajnerin Nika me një gol të bukur.
Dy teknikët aktivizojnë lojtarët e stolit, për t’i testuar ato, por rezultati mbetet i pandryshuar, Kastrioti 1 e Burreli 2.
Burreli-Kastrioti 1-2
Shënues: Çela 14’/ Rraboshta 44’, Sefgjini 65’
Kastrioti-Puja, Neziri, Bojon, Çela, Rami, Husein, Nuriu, Prodani, Okebugu, Bardhi, Ajazi Tr. R.Ndreu
Burreli-Miraka, Sefgjini, Beci, Doda, Hasa, Zefi, Zuna, Dyca, Vecaj, Ykaba, Rraboshta Tr. S.Nika