Një festë për të treguar bashkim, vlera dhe nxitje për zhvillim të Matit, do të mbahet më 31 korrik në qendër të qytetit. Matjanët përtej bindjeve politike janë të bashkuar nga dashuria për vendlindjen. Intelektualë, profesionistë, artistë, sportistë, banorë të Matit dhe të diasporës do të mblidhen, të enjten në ora 18:00 në Parkun “Geraldinë”, për të marrë pjesë në një takim mbarëmatjan.
Ky takim ka për qëllim: Unifikimin e qëndrimeve dhe ideve për të mirën e Matit. Shpalosjen e vlerave kulturore, artistike, historike dhe sportive. Nxitjen e ndryshimeve pozitive dhe zhvillimit të qëndrueshëm në trevën e Matit.
Promovimin e matjanëve me kontribute të çmuara, brenda dhe jashtë vendit. Ky takim mund të jetë hapi i parë drejt themelimit të një shoqate matjane, që do të kanalizojë energjinë, vullnetin dhe vizionin për të ardhmen.
“Vatra Matjane” synon të mbledhë bijtë dhe bijat e Matit që kanë dëshirë dhe vullnet për të dhënë kontributin e tyre për vendlindjen. Ejani të gjithë me mendje e zemër, për Matin që duam!

