Rreth 27 mijë maturantët në gjithë vendin do të testojnë njohuritë e tyre në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Provimi do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta.
Për zhvillimin e provimit janë rreth 145 qendra, ku çdo qendër administrohet nga një përgjegjës administrimi dhe nga administratorë të caktuar për çdo mjedis ku zhvillohet provimi.
Provimet e maturës po zhvillohen në shkolla, të cilat plotësojnë kushtet infrastrukturore të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore.
Këtë vit Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për maturantët që janë me aftësi ndryshe.
Maturantët do t’i nënshtrohen provimit të lëndës së Matematikës më 17 qershor dhe provimit të Lëndës me Zgjedhje më 24 qershor. Provimi i parë të cilit iu nënshtruan maturantët në këtë cikël testimesh ishte ai i Gjuhës së Huaj.
