Maturantët dhe kandidatët për studime të larta këtë vit do të kenë më pak mundësi për të përzgjedhur degët e tyre të studimit.
Vitin e kaluar maturantët të cilët nuk dolën fitues në raundin e parë të aplikimit për shkollën e lartë, në raundin e dytë kishin mundësi të përzgjidhnin 10 programe studimi.
Në udhëzuesin e ri të MASR të publikuar në fletoren zyrtare përcaktohet se këtë vit kandidatët do të kenë mundësi të aplikojnë vetëm në 7 degë.
Ndërkaq, për raundin e tretë mundësitë do të jenë edhe më të kufizuara. Nga 10 degë që ishin më parë, këtë vit maturantët do duhet të aplikojnë vetëm në 5 programe studimi.
Nga ky vendim i ri vetëm raundi i parë nuk ka pësuar ndryshime, të gjithë ata që do të aplikojnë për studimet e larta, do të mund të përzgjedhin 10 preferenca.
Të gjithë maturantët kandidatë për studimet e larta do të aplikojnë online në portalin e maturës shtetërore për formularët A1 dhe A1Z.