Imola në San Marino rezultoi pistë shumë e favorshme për Red Bull edhe pse shkallët e pistës në zemër të Italisë ishin mbushur me ngjyrat e flamurit të Ferrarit. Max Verstappen dhe Red Bull gjejnë një fitore shumë të rëndësishme në pistën e lagur nga ku u nisën të parët dhe e mbyllën garën po në krye ndërsa skuadra austriake regjistroi pikë të plota me Sergio Perez që nuk lëshoi asnjë cm në duelin me Leclerc.
Zhgënjim për kokëkuqen nga Maranello që nisej favorite në këtë pistë por pas daljes së Sainz që në start, gjithçka u bë më e vështirë për Leclerc që humbi përfundimisht kontaktet me Perez në xhiron e 54 kur doli nga pista dhe u rikthye për ta mbyllur këtë garë në vendin e gjashtë.
Vendi i tretë për pilotin e McLaren, Lando Norris, i ndjekur nga George Russel e Valteri Bottas, ndërsa në renditjen e përgjithshme, Leclerc vazhdon të qëndrojë në krye por tashmë i ndjekur nga kampioni i botës, Verstappen me 28 pikë më pak.