Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka marrë një fitore të madhe në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare në Greqi.
Pas numërimit të 70% të kutive të votimit flasin për një rezultat 40% për partinë konservatore Demokracia e Re, 17.8% për Syriza, 12.23% të votave i ka marrë PASOK, ndërsa partia “Spartanët”, e drejtuar nga një prej anëtarëve të Agimit të Artë ka marrë vetëm 4.72% të votave.
Mitsotakis falënderoi grekët për mbështetjen, premtoi se do të punojë me të gjithë forcën për të përmbushur ato që qytetarët kërkojnë.
“Ndjej detyrën t’i shërbej vendit me të gjitha forcat e mia, grekët na kanë dhënë një mandat të fortë për të ecur në rrugën e ndryshimeve të mëdha e të nevojshme. Unë do të jem kryeministër i të gjithë grekëve, problemet nuk kanë ngjyrë. Kur hodha hapat e parë në politikë 20 vjet më parë, nuk e prisja të kisha një mandat kaq të fortë”, tha Mitsotakis nga selia e Demokracisë së Re në Pire.