Gjatë fjalës së tij në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku deklaroi se muajt në vijim do të rritet përkrahja sociale për shtresat në nevojë.
“Bashkitë janë duke marrë masa për fokus të veçantë te mbështetja sociale. Duke pasur parasysh që kriza ekonomike dhe rritja e inflacionit ka impakt te këto grupe shoqërore. Përkrahja sociale të paktën në Bashkinë e Tiranës do të vazhdojë dhe do të rritet. Do të shohim mundësinë si në muajt në vijim tí vijmë në ndihmë shtresave në nevojë përtej 6%. Jo vetëm me buxhetin tonë të drejtpërdrejtë, por duke bashkuar forcat edhe me komunitetet publike apo fetare, që atyre familjeve në nevojë këtë situatë tí gjendemi më pranë”, tha Mazniku.
Sa i përket programit të kredive të buta, Mazniku njoftoi se do të vazhdojë edhe vitin tjetër.
“Qeveria ka mbështetur bashkitë kryesore me një program të posaçëm për kreditë e buta. Para pak ditëve u akorduan 486 fitues, kryesisht familje të reja sepse programi është i fokusuar te familjet e reja. Kemi një program të dytë që financohet nga buxheti i bashkisë për këtë çështje.”