Kilian Mbape ka udhëhequr një PSG spektakolar drejt suksesit të jashtëzakonshëm 4-1 ndaj Barcelonës në fushën e kësaj të fundit, duke e afruar ndjeshëm kualifikimin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve e vazhduar krizën e thellë në arenën ndërkombëtare të skuadrës katalanase që i afrohet një tjetër eliminimi të turpshëm.
Të dy ekipet dhuruan një ndeshje taktike në minutat e parë duke mos lejuar shumë hapësira dhe goli që hapi rezultatin do të vinte nga një penallti. De Jong e fitoi pas një kontakti me Kurzaua dhe Mesi nga pika e bardhë nuk gaboi, duke çuar shifrat në 1-0.
Por nga ai moment u zgjua Mbape, i cili pas një aksioni të shkëlqyer të parisienëve, dërgoi sferën në rrjetë, për të mbyllur pjesën e parë në barazim. Ishte përsëri sulmuesi francez ai që gjeti rrjetën në pjesën e dytë pas një manovre që gjeti të papërgatitur prapavijën e katalanasve, duke përmbysur shifrat e ndeshjes. Pak minuta më vonë, ndërsa Barcelona po mundohej të reagonte, erdhi goli i Kin me kokë pas një goditje dënimi dhe aty katalanasit kapitulluan pa kushte.
Kuman provoi të ndryshonte fatin e ndeshjes me zëvendësimet, por Barcelona ishte e pavëmendshme dhe me një kundërsulm model e një finalizim fanatastik, Mbape shënoi golin e tretë personal të sfidës për të vulosur fitoren 4-1 të ekipit të tij.
Ky ishte një sukses që lë pak vend për diskutime dhe që afron PSG-në me çerekfinalet, ndërsa zhyt edhe më keq në krizë Barcelonën e cila është hija e vetvetes e vazhdon të zhgënjejë në Ligën e Kampioneve.
BARCELONA-PSG 1-4
23′ (p) Mesi / 32′, 65′, 85′ Mbape, 70′ Kin