E ardhmja e Kilian Mbape, mbetet një enigmë. Francezi edhe në këtë sezon ishte autor i performancave fantastike duke provuar ndeshje pas ndeshje se talenti i tij është i padiskutueshëm. Reali i Madridit e ka prej kohësh në objektiv, ndërsa do të ishte zëvendësuesi natyral i Ronaldos te madrilenët.
Dhe për të shtuar edhe më shumë dyshimet ishte vetë Mbape që ngriti pikëpyetjet teksa theksoi se ka nevojë të marrë më shumë përgjegjësi, nëse jo te Parisi atëherë diku tjetër. “Ndoshta ka ardhur momenti për të marrë më shumë përgjegjësi. Do të isha i lumtur t’i kisha te Parisi, ose në një vend tjetër me një projekt të ri”, tha Mbape.
Sulmuesi tashmë i ka dhënë sinjalet për të gjitha klubet që e ndjekin, ndërsa kjo padyshim ishte një shenjë edhe për klubin e PSG, e cila duhet t’i rezervojë Mbapesë të gjithë vëmendjen, pasi klubet më të mëdha Europiane janë gati të bëjnë çmenduri për kampionin e Botës.
