Dega e Partisë Demokratike në Shkodër po zhvillon një protestë përballë prefekturës, pas lajmeve lidhur me të shkuarën e Valdrin Pjetrit.
Protesta ka nisur në orën 19:30, ku dhjetëra mbështetës të PD-së janë mbledhur përpara prefekturës. Me pankarta në duar ku shkruhet “T’i kthejmë rinisë shpresën”, “Stop lidhjes Shtet-Banda”, “Stop blerjes së votës”, ata po marshojnë drejt bashkisë së këtij qytetit.
Kjo protestë vjen pasi PD-ja nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj force politike, Gazment Bardhi publikoi disa dokumente, ku sipas tyre vërtetojnë që Valdrin Pjetri, i dalë fitues në zgjedhjet e 30 qershorit, ka qenë i dënuar me burg në vitin 2003 për drogë. Pas këtyre akuzave, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar informacion nga pala italiane nëse ndaj Valdrin Pjetrit është kryer ndonjëherë ndalim, arrestim, dënim për trafik narkotikësh apo dëbim nga shteti fqinj.
Ndonëse, Pjetri ka mohuar që të jetë dënuar në 2003 për drogë apo të jetë dëbuar nga Italia.
