Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikave që ka marrë për mbështetjen ndaj sportistëve të kalibrit europian.
Në një reagim në “Twitter”, kreu i qeverisë shkruan se kur nuk duan t’ia dinë për faktet, duhet të bëjnë si Luiza Gega, të vrapojnë më shpejt.
“Si i bëhet kur s’duan t’ia dinë për faktet mbi çka është bërë, jo sot po prej kohësh tanimë për të mbështetur sportistët e kalibrit europian? Si i bëhet kur s’duan t’ia dinë as kur kampionia vetë thotë që gjithçka ka ndryshuar në mbështetje të saj? I bëhet si Luiza: Vrapo më shpejt!”, shkruan kryeministri në postimin e tij.
Sot gjatë një aktiviteti të zhvilluar posaçërisht për Luiza Gegën, Rama tha se nuk ka asnjë shpërblim financiar që mund të shpërblejë Luizën për atë që i ka dhënë kombit.