Deputeti socialist, Arbjan Mazniku, ka mbajtur fjalën e tij nga komisioni i posaçëm për Reformën Territoriale, i mbledhur për herë të parë paraditen e sotme, 11 nëntor 2025, ku anëtarët demokratë kanë munguar.
Në rolin e bashkëkryetarit të këtij komisioni, Mazniku u ndal fillimisht tek rëndësia e këtij grupimi, që është krijimi i institucioneve demokratike që përfaqësojnë qytetarët dhe problemet e tyre.
“Objektivi final është që të krijojmë një reformë ku të sigurohemi që të kemi institucione të afta, efiçiente dhe demokratike. Të sigurojmë që të kemi njerëz, struktura pranë njerëzve, të dëgjojnë problemet e njerëzve, të përfaqësojnë shqetësimet e tyre por të jenë të afta në të njëjtën kohë për të zgjidhur problemet”, tha ai.
Më tej, sa i përket qeverisja vendore, Mazniku u shpreh se bashkitë në vend kanë funksionuar në mënyrë efektive, madje ato po mendojnë me “terma evropiane”. Kështu, sipas Maznikut, totali i fondeve të tërhequra nga bashkitë nga projektet e Bashkimit Evropian janë afro 50 milionë euro.
“Është e rëndësishme të themi dy-tre gjëra për si kemi ardhur këtu. Para fiks 10 vjetesh është bërë një reformë po aq e rëndësishme, ku disa nga anëtarët e komisionit kanë qenë pjesë e reformës së vitit 2014, një reformë ku unë besoj ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila e çoi strukturën në 61 bashki. Ajo reformë ka pasur një seri efektesh shumë të mira. Mjafton të jap disa numra, të cilat besoj që janë të rëndësishme për të krijuar një kontekst për të kuptuar se si kemi ardhur nga 2014 këtu, të cilat mund të jenë një indicie mirë për si mund të ecim përpara.
Në këto vite, buxhetet vendore janë dyfishuar. Pra, në raport me 2013, sasia totale e fondeve që janë në dispozicion të bashkive është dy herë më e madhe. Borxhet e prapambetura janë ulur me 60%. Investimet janë rritur me pothuajse 3 herë. Pesha e pagave brenda buxhetit të bashkisë, ka rënë nga 70% në 43%. Të ardhurat e veta janë trefishuar, nga 11 miliardë lekë në 35 miliardë lekë në 2023, një dëshmi e qartë e faktit që ka funksionuar në mënyrën më efektive e gjithë qeverisja vendore. Sasia dhe cilësia e shërbimeve është rritur. Shpërndarja e këtyre shërbimeve në territor është rritur. Mundësia e bashkive për të filluar dhe menduar në terma evropiane ka filluar, me faktin që një pjesë e madhe e bashkive, ja dalin të marrin projekte në kuadër të Bashkimit Evropian. Në vitin e fundit, totali i fondeve të tërhequra nga projektet e BE nga bashkitë e vendit i afrohet 50 milionë euro. Tregues që disa bashki ja dalin në atë rrugë”, tha ai.
