Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se sot më 19 nëntor 2025 do të zhvillojë dy seanca të jashtëzakonshme, të cilat pritet të përcaktojnë ritmin e zhvillimeve institucionale në vend.
Seanca e parë nis në orën 11:00 dhe do të fokusohet në votimin e buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026, si edhe në miratimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare.
Në rend dite është formimi i komisioneve parlamentare, ratifikimi i disa marrëveshjeve të financimit me Bashkimin Evropian dhe Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, për projekte që lidhen me reformat fiskale, zhvillimin ekonomik, shëndetësinë dhe arsimin e hershëm, si edhe shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore të vitit 2026 dhe miratimi i buxheteve të komunave të Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, së bashku me çështjen e financimit të RTK-së.
Pas kësaj, në orën 14:00, Kuvendi do të mbajë një seancë të dytë të jashtëzakonshme, e cila i dedikohet zgjedhjes së Qeverisë së re, pasi mandati i mandatarit Glauk Konjufca ka mbërritur në afatin e fundit.
Partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe NISMA kanë paralajmëruar bojkot për seancën e buxhetit, ndërsa për votimin e qeverisë së re kanë deklaruar se do të votojnë kundër kabinetit të propozuar nga Vetëvendosja. Të dyja mbledhjet do të zhvillohen në sallën plenare të Kuvendit.
