Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste, 80 vite më parë, në 7 prill 1939, hapi një periudhë shumë të veçantë për funksionimin e shërbimit të jashtëm shqiptar. Vete statusi i një vendi të pushtuar, nënkupton mbylljen e funksioneve të shërbimit të jashtëm të atij vendi i cili nuk gëzon më të drejtën e sovranitetit dhe zhvillimit të një politike të jashtme të pavarur.
Arkiva online e MEPJ-sw sjell dokumentet e kohës, sipas të cilave në Shqipërinë e vitit ’39 nuk ndodhi kështu. Musolini u përpoq t’u jepte kancelarive perendimore mesazhin se në Shqipëri nuk kishte ndodhur një pushtim ushtarak, për të cilin ata ishin shprehur kundër, por vetëm një ndryshim në kreun e shtetit shqiptar. Këtë e kishte ligjëruar vendimi i Asamblesë Konstitucionale me 12 prill 1939, i cili i ofronte Kuroren Mbretërore Viktor Emanuelit III si Mbret i Shqiptarëve, dhe nga ana tjeter ruante flamurin, indipendencen dhe sovranitetin shqiptar.
Për tju përmbajtur këtij vendimi, shërbimi i jashtëm shqiptar vazhdoi të funksiononte edhe pas pushtimit të Shqipërisë, kur vendi tashmë ishte pjesë e kurorës mbretërore italiane. Ky vendim kontradiktor do të demostrohej në mënyrën e funksionimit të shërbimit të jashtëm shqiptar dhe një situatë e tillë nuk do të vazhdonte më shumë se tre muaj deri në qershor 1939. Në këtë kohë Mbretëria shqiptare përfaqësohej nga 11 legata, 18 përfaqësi konsullore, e disa konsuj nderi. Përfaqësitë diplomatike e konsullore shqiptare u udhëzuan që tani e tutje në rastet e festave zyrtare do të ngrinin flamurin shqiptar së bashku me atë italian.
Përfaqësitë shqiptare do të koordinonin veprimtarinë e tyre diplomatike me përfaqësitë italiane në trajtimin e problemeve të kolonive shqiptare e atyre italiane jashtë vendit. Nga reagimet që mbërrinin nga përfaqësitë vihej re se puna e tyre ishte vështirësuar pasi pas pushtimit të Shqipërisë ato shiheshin si jo legjitime nga shqiptarët që jentonin jashtë vendit. Ishin vetëm tre shtete që nuk e njohën pushtimin Italian dhe vazhduanin te njihnin si përfaqësuese legjitime të Shqipërisë vetëm përfaqësitë shqiptare. Kjo situatë ishte në Francë, Egjipt, dhe në Turqi.
Disa nga përfaqësitë nuk iu bindën kësaj situate të re në përfaqësimin e tyre dhe refuzuan vazhdimin e aktivitetit diplomatik, si në Uashington e Londër. Legata shqiptare në Romë u mbyll plotësisht që në fillim, pas përfshirjes së Shqipërisë në kurorën mbretërore italiane.
Problemet në përfaqësi filluan të shfaqen menjëherë, qoftë në dinjitetin e diplomatëve shqiptare të cilët ftoheshin në festat zyrtare të perfaqësive të tjera pasi jepte pëlqimin përfaqësuesi italian. Nga ana tjetër, disa shtete nuk njihnin më vizat e lëshuara nga konsullatat shqiptare, në qoftë se ato nuk sigloheshin nga konsullata italiane, pasi të vinte autorizimi përkatës nga Roma. Autorizimi zyrtar nga Roma kërkonte 20-30 ditë për të mbërritur në kushtet e viteve ’30-të të shek.XX. Shtetasit shqiptarë dhe ato të huaj, pasi merrnin vizë shqiptare, duhej të drejtoheshin tek konsullatat italiane për vizë të dytë gjë që merrte shume kohë, kishte kosto financiare, dhe dëmtonte rëndë turizmin në vend. Duke aplikuar për vizë italiane, dokumentet arkivore flasin që në këtë procedure kryhej edhe eko politike për shqiptarët që ktheheshin në Atdhe nëse ishin apo jo të rrezikshëm për rregjimin fashist në vend.
Kërkesës së vazhdueshme të përfaqësive shqiptare pranë MPJ për ndërhyrje pranë autoriteteve italiane për zgjidhjen e kësaj situate, qeveria shqiptare në pamundësi të një zgjidhjeje tjetër dhe nën presionin e qeverisë fashiste italiane, mori Vendimin nr.229, dt.31.5.1939, i cili ngarkonte MPJ të nënshkruante një akord me qeverinë italiane për pajtimin e gjendjes së përfaqësive shqiptare me situaten e re të bashkimit të kurorave mbretërore.
Akordi u nënshkrua në Rome me 3 qershor 1939 dhe u dekretua me 5 qershor. Sipas kësaj marrëveshjeje të arritur ndërmjet dy qeverive, shërbimet diplomatike e konsullore të të dy vendeve unifikoheshin dhe administrimi i të gjitha marrëdhënieve ndërkombëtare të Italisë dhe Shqipërisë do të përqëndroheshin në Ministrinë Mbretërore të Punëve të Jashtme në Romë. Personeli diplomatik e konsullor shqiptar do të sistemohej brenda mundësive në pozicionet e rangjet e Ministrisë Mbretërore të Punëve të Jashtme në Romë. Pranë MPJ italiane u krijua Nënsekretariati i Shtetit për Punët e Shqipërisë, e njohur me emrin “Zyra Shqiptare”. Kështu shërbimi i jashtëm shqiptar pushon së ekzistuari deri në kapitullimin e Italisë fashiste, shtator 1943.
Të gjitha dokumentet online mund t’i lexoni këtu.