Sipas vendimit të qeverisë përsa i përket lojërave të fatit, pas 1 janarit në Shqipëri nuk do të lejohen më pikat e basteve.
Pothuajse pjesa me e madhe e lokaleve që funksionojnë si pika bastesh, kanë ulur qepenët.
Lidhur me këtë vendim të qeverisë ka dhënë mendimin e tij edhe, ish-trajneri i Vllaznisë, Roland Luçi. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ai thotë se ky është një vendim, i cili do të këtë pasoja. Arsye për të cilën i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të vij në vete.
“Shkundu e hajde në vete, kryeministër. Duhet vepruar në përshtatje me ligjet e brendshme të sistemit ku jeton o Edi, të kapitalizmit. Ato nuk mundesh arbitrarisht t’i ndalosh së vepruari. Kumari do disiplinuar e jo ndaluar, sepse do ndërrojë formen e ekzistencës dhe lufta juaj kthehet në luftë me mullinjtë e erës. Do shkojë puna në fshatarizim të kumarit fillimisht, të rivitalizimit të skedinave private, klluçit, zholit a pishpirikut kosovar, përmbysit a pllakatorit tiranas. E pastaj vijojnë online, për të cilat të gënjejnë e pastaj ti gënjen veten se mund ta ndalosh. Qe te kuptohemi: Disiplinim nuk domethënë ta kthesh kumarin në privilegj të 5-yjshave që të rrethojnë. Në Austri lejohet maksimalisht 70 € bast dhe relevantja shqiptare mund të ishte diku 5 a 10 €. Kështu ua bie në majë të hundës bastexhinjve, i disiplinon dhe ndërgjegjëson para se të shkunden xhepash e brinjësh. Të çmendurve sigurisht qe s’ka mjek qe u bie në të. Disiplinimi vlen dhe për kapsollat dhe prostitucionin, prostitucionin e te gjitha formave.”, shkruan Luçi.