Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë, pas deklarimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), se i vëllai, Olsi Rama nuk ka lidhje me dosjen “Xibraka”.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë u shpreh se ndaj tij dhe familjarëve janë hedhur akuza pa prova, në 25 vite që ai është në politikë.
“Më kanë bërë dhunues grash, madje dhunues të ndjesë pastë nënës time.
E shkreta nëna ime, Aneta, u sulmua nga foltorja e parlamentit, deri nga foltorja e parlamentit, ku katrani me bojë e akuzoi se po cenonte interesin publik, duke mos më denoncuar, ajo mua, si dhunues të sajin dhe duke i lënë kësisoj shqiptarët, të votonin qorrazi për një kriminel që dhunon edhe gra.
Nëna ime e ndjerë, u ndje aq e lënduar sa e çoi edhe në gjyq, katranin e madh.
Po e dini çfarë ndodhi?
Ai çoi avokatët për të bërë paqe, se “kështu e ka politika dhe se ai paskësh madje shumë respekt për të si mjeke”.
Dhe kur gruaja krenare, e dhunuar në dinjitetin e saj, nuk pranoi të tërhiqte padinë, doli edhe një gjykatëse katran, e cila me një vendim poshtërues, i vuri kapakun atij maskarallëku.
“I padituri ka ushtruar lirinë e tij politike!”
Më kanë bërë skizofren me kartelë mjekësore. E kanë fabrikuar dhe publikuar edhe kartelën, si trakt të luftës pa din e as iman kundër meje, që vazhdon prej kaq e kaq vitesh.
Jo! Jo, nuk kam pasur lavdi Zotit, asnjëherë probleme të shëndetit mendor. Por sigurisht që nuk ka pasur se si të mos akuzohesha edhe për këtë, nga një katran i madh, me diplomë mjeku, që u hyn në hak deri dhe të sëmurëve më fatkeqë e familjarëve të tyre, duke i përdorur si kategori negative, për llogari të luftës së tij përçudnuese politike.
Më kanë bërë me dyqind apartamente në Shqipëri dhe Europë, e me dyqind milionë dollarë dreqi e di ku.
Jo, nuk kam pasur dhe as kam dashur ndonjëherë të kem ndonjë apartament tjetër, përveç atij tek parafabrikatet qysh në kohë të komunizmit, dhe pastaj atyre ku kam jetuar me qira kur isha ministër kulture e kryetar bashkie. Ashtu i shihja gjërat kur isha më i ri, ende s’e kisha familjen që kam fatin të kem sot – doja të isha njeri i lirë nga çdo lidhje apo pronë e patundshme.
Pastaj, kur u bekuam nga Zoti me një fëmijë tjetër, e bëmë edhe ne një shtëpi tonën, në periferi të Tiranës, siç janë bërë qindra, mijëra familje të tjera shqiptare në tre dekadat e fundit.
Më kanë bërë me saraje dhe ç’nuk kanë fantazuar, thënë e shkruar, për si është ndërtuar, e me çfarë lekësh është ndërtuar shtëpia jonë.
Jo, ajo shtëpi nuk ka lidhje as me sarajet, as me favore ndërtuesish apo lekë me burim tjetër, përveç të ardhurave nga puna e të dyve ne, burrë e grua”.