Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur vendimin e qeverisë së Kosovës për regjistrimin e pronave për Manastirin e Deçanit. Rama inkurajon lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët për të demonstruar se Kosova është partner i besueshëm.
”E mbështes plotësisht vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit; më mirë vonë se kurrë. E inkurajoj lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i matur dhe i besueshëm i Komunitetit Euroatlantik”,-shkruan Rama.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale që të regjistrojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ky veprim sipas Kurtit, vjen pasi anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës po kushtëzohet nga zbatimi i këtij vendimi.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se ky vendim është i padrejtë, por nuk do t’ia mohojë vendit anëtarësimin në Këshillin e Evropës, pasi thonë se janë kushtëzuar me zbatim të tij.