Katër dekanët e universiteteve publike kanë dalë në një konferencë për shtyp pas vendimit të ministres së Arsimit, Besa Shahini për pezullimin e rektorit Mynyr Koni.
Për dekanin e Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule, situata është vnouar shumë, pasi kishin 1 vit e gjysmë që kishin shqetësime.
“Opinioni publik duhet të dijë se situata është vonuar shumë. Kemi 1 vit e gjysëm që kemi shqetësime. U bë kontrolli dhe pas një viti e gjysëm, ligji gjeti dritë jeshile. Ka shkelje, ministria e Arsimit ka të përcaktuar kompetencën për të gjetur shkeljet e ligjit. Politika mbajti peng universitetin. U shpërdorua detyra me fondet e dhëna nga Europa”, tha Kule.
Lexo edhe: Bernard Dosti komandohet si rektor i Universitetit të Tiranës
Më mirë vonë se sa kurrë, e ka quajtur këtë vendim Artan Hoxha, dekani i Fakultetit të Drejtësisë. “Ky vendim nuk shkel autonominë universitare, po e garanton nga paligjshmëria dhe sjelljet në mënyrë të kundërligjshme”, tha Hoxha. Ai shtoi se ka pasur probleme të rënda në administrimin e institucionit të UT, duke pasur një drejtim hierarkik.