Deputetja e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo, duke folur për përfshirjen e saj në sferën politike, tregoi se kjo fushë ishte komplet e re për të, dhe se në tre muajt e parë të mandatit e ndjente veten nxënëse.
“Kjo ishte një fushë e re për mua, në dy tre muajt e parë unë isha një nxënëse. Isha nga inxhinieria dhe kalova në këtë fushë tjetër dhe ishte periudha e parë e akumulimit dhe e mësimit dhe të japësh në mënyrë shumë të matur mendimin. Puna e Kuvendit zhvillohet në Komisione ku edhe propozohen ligjet, diskutohen thërriten grupe të ndryshme të interesit”, u shpreh ajo në emisionin “Kjo Javë”.
Më tej, e pyetur për raportet me kryeministrin Edi Rama, ajo u shpreh se nuk ka pasur takime të shpeshta pune me të.
“Marrëdhëniet i kam të mira me të gjithë. Me kryeministrin Rama jam takuar vetëm njëherë kur më kërkoi për tërmetin dhe nja dy herë në këto takimet festive… S’duhet të shkojë çdo gjë te kryeministri, te Njëshi. Unë nëse kam një problem në lidhje me arsimin do shkoj të ministrja Kushi përshembull dhe ta diskutoj me të. Unë kam bërë takim me disa ministra si i Infrastrukturës etj… se ata do ta zgjidhin në fund të fundit. Kryeministrin duhet ta shqetësosh kur është një problem që nuk është zgjidhur asgjëkundi. Dhe s’jam njeri që dua të bezdis kot. Shkoj vetëm kur kam ndonjë problem që mendoj se e zgjidh vetëm ai.”
Ajo gjithashtu ka shpjeguar se nuk e ka menduar ndonjëherë dorëheqjen nga detyra, me argumentin se është votuar masivisht nga qytetarët dhe punon për t’ia shpërblyer atyre besimin.