Qeveria italiane e Giorgia Melonit ka miratuar sot një dekret ligjor, si kundërpërgjigje për Gjykatën e Romës, që pak ditë më parë vendosi të anulojë dërgimin e emigrantëve ilegalë në kampin e Gjadrit.
Dekreti për emigrantët i hap rrugë riatdhesimit të tyre edhe kur ata mbërrijnë nga ato që cilësohen si vende të sigurta.
Vendet e sigurta nënkuptojnë ato ku respektohen të drejtat e njeriut dhe demokracia.
Seksioni i imigracionit në Gjykatën e Romës nuk i njohu Bangladeshin dhe Egjiptin, dy shtetet e origjinës së emigrantëve të transportuar në Shqipëri, si “vende të sigurta”.
Rrjedhimisht, asnjë procedurë riatdhesimi nuk mund të zbatohet për qytetarët e këtyre vendeve.