Gazetari Mentor Kikia u ka bërë thirrje protestuesve që të shpëtojnë protestën ndaj rritjes së çmimeve nga folklorizmi.
Sipas tij, drejtimi që po merr protesta është problem, pasi qytetarët nuk mund thjesht t’i kërkojnë qeverisë që të ulë çmimet, teksa shton se asnjë nuk duhet të lumturohet me uljen e çmimeve me 20 lekë si pasojë e një pakti 1 javor me tregtarët e naftës.
Postimi i plotë:
Protesta duhet shpëtuar nga folklorizimi
Sot në “tribunën” e protestës u ngjit edhe një vajzë e vogël, me një fjalim të shkruar keq nga ata që ia kishin dhënë. Kjo shkaktoi reagime në rrjet mbi përdorimin e fëmijëve në zhvillime të tilla.
Unë nuk mendoj se angazhimi apo përdorimi i fëmijëve në një protestë, për të kërkuar uljen e çmimeve, është problemi më i madh.
Por vetë drejtimi që po merr protesta më duket problem.
Ti kërkosh qeverisë, thjeshtë “ul çmimet”, është absurde. Merr e vër cilindo prej atyre që protestojnë, apo cilindo për ne kritikëve të tjerë që shkruajmë e flasim çdo natë, në karrigen e Ramës e thuaji: ja ku e ke vulën dhe firmën, uli tani çmimet e naftës, vajit, bukës, makaronave, rrobave, makinave, parfumit dhe librave.
Nuk duhet të lumturohet askush me rënien e shifrave me 20 Lekë në tabelat e karburanteve, si pasojë e një pakti një javor me tregtarët e naftës.
Përmbyllja e “fjalimit” të vajzës së vogël ishte shume entuziazmues për protestuesit. “O Edi Rama, o legen” – i tha ajo kryeministrit. Ndërsa turma u kënaq shumeëëëëëëë.
Mendoni se Rama është prekur apo trembur shumë nga kjo sharje?
Është rreziku që një protestë e tillë, që frymëzoi shpresë dhe injektoi adrenalinë, që tregoi se ka në këtë vend njerëz që marrin frymë dhe janë të lirë, pra kjo energji e madhe pozitive, të shndërrohet në një tubim folklorik.