Atmosfera duket elektrizuese me tifozët kuqezi, ndryshe paraqitet situata në pjesën tjetër të Tiranës, në Bulevardin Gjergj Fishta, aty ku është akomoduar përfaqësuesja e Serbisë.
Situata për momentin është e qetë aty, por policia ka merakun vetëm kur autobusi i ekipit serb do të hyjë në stadium apo kur të dalë, pasi ka shumë tifozë. Ndërsa për dronët duket se nuk do të jetë problem, pasi janë marrë masat e duhura.
Forcat policore janë prezente, por për momentin gjithçka është e qetë, ndoshta ngaqë është koha e pushimit. Më pas kur të shoqërohen drejt stadiumit do të ketë forca të shtuara. Policia ka merakun vetëm sjelljen e tifozëve tanë gjatë futjes apo daljes në stadium pas mbarimit të ndeshjes.
Do të ketë agjentë të infiltruar brenda tifozërisë. Gjithashtu ka masa anti-dronë, madje edhe qitës për të rrëzuar çdo tentativë të futjes së tyre.
