Saimir Tahiri ka mbërritur në Gjykatën e Krimet e Rënda për tu njohur me akuzat, pasi Prokuroria mbylli dosjen ndaj tij.
Tahiri është paraqitur bashkë me avokatin e tij Maks Haxhia, teksa burime mediatike thonë se ndaj tij rëndojnë dy akuza, ajo e trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror.
Duket se pritja merr fund për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, teksa është mbyllur dosja e hetimit ndaj tij dhe është dërguar në gjykatë.
Tahiri akuzohet për korrupsion dhe trafik të narkotikëve, ndërkohë që përfundoi i pandehur bashkë me ish-zyrtarët e policisë Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode.
Përgjatë dy viteve hetimore, sipas prokurorisë, ka dyshime se këta persona kanë bashkëpunuar me grupin e Habilajve, të cilët kultivuan kanabis dhe e trafikuan drejt Italisë. Dorëzimi i dosjes në gjykatë vjen pas zgjatjes së hetimeve pesë herë në pritje të letërporosive që duhet të përcilleshin nga Mali i Zi dhe Italia.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dha dorëheqjen nga posti i ministrit dhe më pas prokuroria kërkoi arrrestimin e tij, një masë e cila u refuzua nga gjykata që shpalli fillimisht arrest shtëpiak. Kjo masë u ndryshua nga Apeli i Krimeve të Rënda. Më herët, prokuroria dorëzoi në gjykatë dosjen e parë të kanabisit dhe më pas edhe për nëntë të tjerë. I vetmi që është veçuar është çështja për Orest Sotën, i cili u kap në Elbasan me 800 mijë euro.