Këtë të hënë, Gjykata e Tiranës shpalli masa sigurie ndaj shtetasve që dyshohen se kanë abuzuar me kreditë. Është shpallur në kërkim Ledio Vrapi, 34-vjeç, banues në Gjermani. Ai ka mashtruar shtetas të ndryshëm duke ju thënë se i nevojiteshin të dhënat e tyre për të çelur llogari bankare dhe për të tërhequr shuma parash nga banka, në mënyrë që ai të mos tërhiqte vëmendjen e autoriteteve shtetërore. Pas çeljes së llogarive dhe tërheqjes së parave, ai i ka dhënë secilit nga shtetasve nga 50 000 lekë si shpërblim.
Nga hetimet ka rezultuar se Vrapi me anë të fotove të kartave të identitetit të këtyre shtetasve ka marrë kredi pranë disa institucioneve financiare, shuma parash që variojnë nga 5-7 milionë lekë të vjetra, të cilat janë transferuar në numrat e llogarive të shtetasve dhe janë përvetësuar pas tërheqjes nga 34-vjeçari.
Në këtë veprimtari të paligjshme është përfshirë edhe noterja Majlinda Demollari, e cila dyshohet se ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata dhe për të cilët janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhënave të tjera.
Masat e sigurisë
-”Arrest në shtëpi”, për shtetasen Majlinda Demollari, 55 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal dhe masa e “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, për veprën penale të “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal;
– “Arrest në shtëpi”, për shtetasen Lindita Ndroqi, 55 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 dhe 25 i Kodit Penal;
– “Arrest në shtëpi”, për shtetasen Lindita Peci, 39 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 dhe 25 i Kodit Penal;
– Eros Aliu, 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 dhe 25 i Kodit Penal.