Ai është një nga balerinët më të njohur e më të suksesshëm shqiptarë, fama e të cilit ka kaluar kufijtë e vendit. Flasim për Ilir Shaqirin, balerinin profesionist i cili jetën e ka mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ilirin e takuam gjatë një provimi të “Rexhina Dance Academy”, ku ishte pjesë e jurisë bashkë me nënën e tij, Mukades Erëbara Shaqiri, e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë pedagoge e baletit, dikur në Tiranë dhe sot në Romë, në Akademinë e të birit.
Të vëmendshëm në vlerësimin e fëmijëve, të talenteve që nesër mund të bëhen dikush. Jo më kot Ilir e përmendi gjatë dhënies së certifikatave që nëna e tij ka qenë pedagoge e Ambeta Toromanit, vetë Ilirit dhe shumë emra të tjerë të njohur në balet dhe kërcim.
Arritëm t’i shkëpusnim dy minuta nga puna e tij e palodhur në zbulim të talenteve shqiptare, dhe balerini shprehet mjaft i gatshëm të vlerësojë pasionin dhe suksesin e fëmijëve.
Por çfarë është duke bërë aktualisht Iliri? Ai na rrëfen se ka shkollat në Itali ku do të krijojë disa evente të rëndësishme, pasi bashkëpunon me një sërë kompanish në Europë. Por ama nuk e lë pas as Shqipërinë. Edhe pse nuk na zbulon detajet na rrëfen se ka një projekt të ardhshëm televiziv në vendin e tij.
“Iliri ka shkolla në Itali dhe do të krijojë disa evente të rëndësishme tani në Itali, bashkëpunoj me disa kompani në Europë. Projekt të ardhshëm televiziv, tani për tani kam diçka për në Shqipëri nuk mund ta zbuloj akoma se nuk është diçka e konfirmuar po së shpejti do të dalë”, na thotë balerini.
Një familje artistësh që genin e trashëgon brez pas brezi. Nga nëna e tij, tek Iliri dhe sot arti dhe baleti janë pjesë e jetës e karrierës së vajzës së tij 15-vjeçar, Emily. Për një prind suksesi më i madh i jetës është fëmija, dhe Ilirit i shkëlqejnë sytë kur na flet për Emily e tij. Aktualisht ajo studion për recitim, kanto e balet dhe kryesorja për të atin është që shkon mirë në shkollë.
15-vjeçarja është pjesë e serialit televiziv italo-spanjoll “Miracle Tunes”, e cila po korr mjaft sukses. Seriali flet për një mbretëri të ndarë nga bota njerëzore të quajtur “Mbretëria e Muzikës”. Një subjekt si ai i filmave vizatimorë japonez. Emily dhe shoqet e saj mposhtin të keqen, duke kënduar dhe vallëzuar për të pastruar “gurët e çmuar të së keqes” dhe kështu t’i kthejnë ato në format e tyre origjinale. Përveç këtij suksesi vajzën e balerinit ka luajtur në disa filma, ka qenë imazh për shumë reklama dhe është pjesë grupit të kërcimit modern që drejtohet nga i ati.
“Emily me shumë sukses më ka dhënë shumë sodisfaksion siç është studimi i artit, sepse studion recitim, kanto dhe balet. Mbi të gjitha shkon mirë në shkollë. Unë jam këtu, ajo në Napoli e ëma në Torino në një event tjetër se ka një agjenci spektali të suksesshme në Romë”, na thotë Iliri duke shtuar se të ardhmen e vajzës e shef në Itali si trampolina e parë.
Balerini është martuar me aktoren italiane Emanuela Morini, por na tregon dhe për lidhjen e vajzës me Shqipërinë, duke na thënë se është shumë e afeksionuar, pasi është mjaft e lidhur edhe me prindërit e tij. “Gjithmonë pret që ta thërrasë për të ardhur në Tiranë. Do vendin që ka lindur i ati dhe gjendet në shtëpinë e vet. Shqip di pak, e ngarkuar në jetën profesionale. Aktualisht Miracle Tunes është një projet që në Itali, Francë e Spanjë ka jashtëzakonisht shumë sukses”, thotë Ilir Shaqiri.
Në Shqipëri për momentin e ka sjellë “Rexhina Dance Academy”, me prima maestra Rexhina Çuko, me të cilën Iliri bashkëpunon prej dy vitesh në zbulim të talenteve të reja. Balerini na thotë se ka mjaft talente që meritojnë vëmendjen e profesionistëve dhe jashtë shtetit.
“Me Rexhinën është një projekt që ka lindur vitin që shkoi, mendoj që është një shkollë shumë serioze përsa i përket maestrisë, cilësisë së kërcimit. Ka shumë pasion, Rexhina është një person jashtëzakonisht korrket përsa i përket didaktikës së mësimit të baletit. Bashkëpunimi besoj do të jetë i gjatë dhe me suskes. Ka shumë talente në këtë shkollë që meritojnë vëmendjen e profesionistëve si dhe jashtë shtetit. Unë kam mundësinë që t’i ofroj bursë studimi, t’i axhivoloj përsa i përket asaj që është ëndrra e tyre dhe i uroj shumë suksese. Dhe sot kanë bërë provim serioz ku mbizotëron mbi të gjitha ajo që është nëna e suksesit, disiplina artistike”, thotë ai.
Teksa i shkëpusim disa fjalë, ka nisur edhe provimi i radhës me talentet e vegjël, dhe nuk e mohojmë se edhe teksa fliste, sytë e tij ishin në performancën e talenteve të reja. Ai kthehet sërish në vendin e tij tek Juria bashkë me të ëmën duke na dhënë shpresën se shqiptarët kudo ndodhen, çfarëdo profesioni të kenë nuk harrojnë të mbështesin vendin e tyre, në art e kulture, dhe çdo formë tjetër.