Selvije Jao, nëna e djalit të Shpat Kasapit ka ndarë një mesazh që është më i rënduari emocionalisht. Ajo rrëfeu se Shpati ndërroi jetë në krahët e saj, në një moment kur familja po përgatiste dokumentet italiane, me qëllim që i biri, Roeli, të merrte trajtimin e duhur logopedik.
”Ndrove jetë në krahët e mi, o jetë. Sa të lumtur ishim që më në fund Roelit po i bëheshin dokumentat në Itali, që të mund ta çonim më shpejt tek logopedët më të mirë. Sa jemi lodhur, sa jemi stresuar, sa kemi qenë bashkë në privatësinë tonë duke shijuar zhvillimin e Roelit. Nuk prita të të dëgjoja duke të thirrur babi, nxitove dhe na le këtu vetëm, pa ty”,-shkruan ajo në një video të postuar në Instagram.
Mesazhi i saj përshkruan zhgënjimin dhe dhimbjen e një nëne që tashmë duhet t’i shpjegojë një fëmije të vogël mungesën e të atit. ”E le Roelin jetim, o Shpat në kohën kur më së shumti kishte nevojë për ty. Si t’ia shpjegoj Roelit që babi nuk është më? Në kohën kur duart e tua duheshin më shumë se kurrë?”.
Ajo tregon se Shpati u nda nga jeta papritur, pikërisht në momentin kur jeta e tyre familjare po stabilizohej pas shumë pengesave dhe presioneve. ”Më thoje gjithmonë se do të më doje deri sa vdekja të na ndante, por pse u ndave nga jeta në krahët e mi, pse ma këpute zemrën kështu, o jetë?”. Selvija e mbylli dedikimin me një lutje për një takim të mundshëm në botën tjetër. ”Inshallah takohemi në Xhenet. Allahu të deshi pranë vetes, por unë mezi pres të zgjohem nga gjumi dhe të jesh këtu për ne”.

