Pas Partizanit, edhe skuadrat shqiptare që garojnë në UEFA Europa League, Teuta, Kukësi dhe Laçi kanë mësuar emrat e gjyqtarëve që do të arbitrojnë në takimet e kthimit.
Kështu, në “Niko Dovana” do të gjykojë izraeliti, Erez Papir, i asistuar nga Matityahu Yakobov dhe Valentyn Kuzhevski. Gjyqtari i katërt do të jetë Liran Liany. Dueli mes Teutës dhe Ventspils do të startojë në orën 17:00. Kujtojmë që ndeshja e parë u mbyll me shifrat 3-0 në favor të letonezëve.
Trupë kroate për takimin mes Hapoel Ber Sheva dhe Laçit, me kurbinasit që do të mbrohen nga rregullat e kryesorit, Tihomir Pejin. 35-vjeçari do të asistohet nga Marjan Tomas dhe Kruno Saric. Arbitër i katërt do jetë Dario Bel. Takimi i kurbinasve do të luhet te enjten, duke nisur nga ora 19:30. Sfida e zhvilluar në Laç u mbyll me rezultatin 1-1.
Ndërkohë, në “Elbasan Arena”, drejtësia mes Kukësit dhe Debrecen i është besuar bullgarit, Stanislav Todorov, i asistuar nga patriotët e tij, Georgi Doynov, Aleksandar Atanasov dhe Dragomir Draganov. Ky takim do të luhet këtë të enjte në orën 20:00. Verilindorët vijnë në këtë takim pas humbjes shokuese, 3-0 në Hungari.